Skënder Gega nuk do të jetë më trajner i Partizanit. Lajmi i shpërndarë pasditen e së shtunës në media, është konfirmuar zyrtarisht nga klubi i Kuq, që në mbrëmje ka shpërndarë një komunikatë zyrtare.
“Klubi saktëson se për arsyet e tij personale, trajneri Gega ka vendosur të ndërpresë me mirkuptim kontratën mes dy palëve, për të mos vijuar të jetë në drejtimin e ekipit edhe në sezonin e ardhshëm. Presidenti Gazment Demi dhe Drejtori Olsi Rama dëshirojnë të falënderojnë trajnerin Skënder Gega, i cili pas suksesit si lojtar, arriti ti dhuroj klubit një tjetër trofe kampioni edhe si trajner i Partizanit. Klubi falënderon trajnerin Skënder Gega për emocionet dhe performancën e shkëlqyer që ekipi rregjistroi në drejtim e tij”, shkruan Partizani.
Në komunikatën e shpërndarë nga zyra e medias, klubi i Partizanit shpreh mirënjohjen për trajnerin Skënder Gega, pasi ky i fundit ka meritë të padiskutueshme për fitoren e titullit Kampion pas 26 vjetësh.
“Klubi i Futbollit Partizani falenderon trajnerin Skënder Gega për arritjen e fitimit të titullit të 16 Kampion të Shqipërisë, i cili u rikthye në shtëpi pas 26 vitesh. Trajneri Gega ka një meritë të padiskutueshme në arritjen e këtij suksesi fantastik. Falë kontributit, punës, sakrificës, përkushtimit dhe disiplinës, Gega arriti të krijonte një grup triumfues, duke fituar respektin e lojtarëve, stafit drejtuesve dhe tifozëve të shumtë të Partizanit”, përfundon komunikata.