FMN: Nevojat vjetore për financime të Shqipërisë kërkojnë edhe një buxhet tjetër

EKONOMI


Nevojat buxhetore të Shqipërisë për të financuar funksionet publike janë sa dyfishi i mundësive reale që gjenerohen nga të ardhurat.

Rishikimi i fundit i kushteve ekonomike të vendit tonë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar tregon, se Shqipëria grumbullon pak më shumë se 27% të PBB të ardhura buxhetore, por ndërkohë ka nevojë edhe për 21% të PBB financime për t’i përmbushur funksionet publike. Për të plotësuar hendeqet e financimeve, Shqipëria duhet të çojë mbi 48% të PBB-së te të ardhurat buxhetore.

Por asnjë parashikim, sado optimist, nuk jep shpresë që Shqipëria të arrijë rendimentin fiskal që i nevojitet. Për të përmirësuar eficiencën në grumbullimin e të ardhurave, FMN i sugjeron qeverisë shqiptare që të përmirësojë dobësitë dhe të investojë në burime të afta njerëzore. Fondi ka sugjeruar që të miratohet një strategji e plotë në formën e një paketë fiskale afatmesme, e cila duhet të zbatohet pa vonesa të mëtejshme.

Përgatitja e një Strategjie Afatmesme të të Ardhurave ofron mundësi për të rishikuar dhe për të ridizenjuar në mënyrë gjithëpërfshirëse sistemin e taksave. Shqipëria duhet të japë fund ndryshimeve të shpeshta të politikës tatimore dhe të mos aplikojë amnistinë fiskale.

Shqipëria dhe Kosova vitin e kaluar u renditën ndër vendet e Europës që grumbullojnë më pak të ardhura buxhetore në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto.

Sipas të dhënave të Eurostat, vendet e BE-së vitin e kaluar grumbulluan mesatarisht 41.1% të ardhura të PBB-së, me një ulje të lehtë në raport me vitin 2018, kur ky tregues ishte 41.2%.
Ndërkohë Irlanda (22.7%), Kosova (26.7%), Rumania (26.7), Zvicra (27.4%) dhe Shqipëria (27.4%) kishin rendimentin më të dobët fiskal.

Irlanda dhe Zvicra grumbullojnë më pak të ardhura, pasi ekonomia e tyre ka zhvilluar offshore-t, në të cilat aplikojnë norma më të ulëta tatimore se sa vendet e tjera të Europës, që kanë një sistem tatimor klasik.

Grupi tjetër i vendeve që mbledhin më pak të ardhura të tilla si Shqipëria, Kosova dhe Rumania e kanë të ulët rendimentin fiskal, për shkak të dobësive në grumbullimin e të ardhurave dhe nivelit të lartë të informalitetit. Për më tepër, Shqipëria i përkeqësoi rezultatet më 2019, pasi të ardhurat në raport me PBB shënuan rënie me 0.2 pikë përqindje.

Fmn 768x295


Skip to toolbar