FMN: Reformat efikase mund të rrisin me 9% PBB-në e Shqipërisë

EKONOMI


Efikasiteti i zbatimit të reformave do të rrisë ekonominë e Shqipërisë dhe në përgjithësi atë të Ballkanit Perëndimor me rreth 9 për qind në periudhën afatmesme, sipas vlerësimeve të FMN-së, në një dokument të fundit mbi prioritetet e reformave strukturore në Evropë.

Duke analizuar prioritetet e reformave strukturore për Bosnjë-Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, FMN vuri dukje se vendi ynë se po përballet me sfida të thella në tregun e punës, kapitalin njerëzor, rregulloret e biznesit, efikasitetin e qeverisjes dhe sundimin e ligjit.

Fondi vuri në dukje se Shqipëria duhet të rrisë më tej efikasitetin e shpenzimeve publike dhe forcimin e menaxhimit të investimeve. Përmirësimi i performancës së ndërmarrjeve shtetërore dhe transparenca fiskale janë pjesë e reformave të domosdoshme.

Të dhënat e brendshme tregojnë se, qeveria shqiptare po shfaq dobësi në realizimin e shpenzimeve buxhetore sipas planit. Vendi ynë ka nevoja të mëdha për investime në infrastrukturë, shëndetësi dhe arsim, por nga ana tjetër mosrealizimi në kohë i planeve buxhetore për investime në këto fusha i heq vendit shanset për një ritme më të lartë të rritjes ekonomike. Në 2024 rreth 420 mln euro nuk u shpenzuan nga plani buxhetor i vitit. Gjysma e kësaj shumë ishte pjesë e fondit të pagave dhe shpërblimit të pensionistëve, ndërsa pjesa tjetër u kursye për interesat e borxhit dhe investime.

Shqipëria përballet me emigracion të lartë dhe mungesë fuqie punëtore të kualifikuar. FMN sugjeron politika që nxisin pjesëmarrjen në tregun e punës, sidomos për të rinjtë, gratë dhe punëtorët më të moshuar. Njëkohësisht, është e nevojshme rritja e cilësisë së arsimit dhe programeve të trajnimit profesional. Shqipëria ka bërë hapa pas në arritjet mësimore në testin Global PISA ndërmjet 2018-2022 në një kohë që numri i nxënësve në shkolla po bie me shpejtësi nga rënia e lindjeve dhe emigrimi i moshave të reja. Rritja e cilësisë se arsimit shihet si mjet kryesor për të kaluar në një model ekonomik me produktivitet më të lartë nga ai që  kemi aktualisht që bazohet kryesisht në krahun e lirë të punës.



Skip to toolbar