Gjykata franceze i ka dhënë fund debatit të madh, sa qesharak aq edhe të çuditshëm për ankesat që ishin bërë ndaj gjelit të quajtur “Maurice”, duke i dhënë të drejtë atij të këndojë që në orët e para të mëngjesit. Fqinjët e pronares së gjelit e kishin hedhur në gjyq, por tashmë ata duhet të paguajnë një dëmshpërblim prej një mijë eurosh plus interesat. Maurice mund të vazhdojë të këndojë çdo mëngjes duke zgjuar francezët në komunën e Sant–Pier–D’oleron.
Vendimi është marrë nga gjykata e qytezës, e cila refuzoi kërkesën e një fqinji të pronares së gjelit. Ai ankohej për zgjimin e hershëm dhe kërkonte një mijë euro dëmshpërblim me interesa. Pronarja e gjelit Corinne Fesseau u shpreh shumë e lumtur pas vendimit duke thënë se Maurice fitoi. Tashmë janë fqinjët ata që duhet të paguajnë dëmshpërblim.
Sipas avokates së pronares, çështja u fitua pasi sipas ligjeve franceze duhet të dëshmohet me fakte një ngacmim dhe një gjë e tillë nuk u bë e mundur nga fqinjët.
Avokatja ka shkuar dhe më parë duke propozuar që të hartohej një ligj i veçantë për mbrojtjen e kafshëve shtëpiake, duke i vënë dhe emrin e gjelit maurice. Denoncimi i parë u bë nga një çift pensionistësh sipas të cilëve gjeli këndonte shumë herët në mëngjes dhe shumë pranë shtëpisë së tyre.
Pronarja përgatiti një strehë të veçantë dhe të errët që të ndalonte gjelin të kuptonte se po zbardhte dita, por asgjë nuk e ndaloi Maurice të këndonte sapo dilnin rrezet e para të diellit. Çështja e veçantë u raportua nga shumë media prestigjioze, me CNN, New York Times. Ndërsa në Francë u hapën shumë debate dhe madje një fushate me hashtagun “Më lër të këndoj” në mbrojtje të gjelit Maurice. Peticioni pro tij u firmos nga 140 mijë persona, duke e kthyer këtë gjel në simbolin e jetës rurale së kërcënuar në Francë.