Drekë për njerëzit në nevojë, Veliaj: Të merret shembulli i Tiranës

AKTUALITET


Në ditën e shenjtërimit të Nënë Terezës, Bashkia e Tiranës ka shtruar drekë në të gjitha qendrat e saj sociale për shtresat në nevojë. Mënyra më e mirë për të kujtuar Nën Terezën është të zbatosh porositë e saj dhe t’u shërbesh njerëzve dhe duket se këtë shembull ka vendosur të ndjek edhe kryebashkiaku Veliaj.

Gjatë fjalës së tij, Veliaj tha se është i lumtur që njerëzit po tregohen gjithmonë e më shumë solidar ndaj shtresave në nevojë. Mensat sociale për shtresat në nevojë është ajo që do të donte edhe Nënë Tereza, u shpreh Veliaj dhe jo statuse në facebook, ndërsa shton se shpreson që kjo nisëm e Tiranës të shërbejë si model edhe për bashkitë e tjera të vendit.


“Më vjen mirë që të gjithë së bashku e kemi bërë qytetin pak më shumë solidar, siç donte Nënë Tereza. Në qoftë se ajo do të ishte gjallë, nuk do të kërkonte më shumë statuja dhe më shumë statuse në internet, por më shumë njerëz që shërbejnë një pjatë supë. Ky është një rast për t’i bërë thirrje të gjithë kryebashkiakëve të rinj: Tirana ka ende cepa ku duhet të shkojë asfalti, gjelbërimi, duhet të heqim rraqe pa leje që kanë zënë hapësira publike, por ama në morinë e madhe të problemeve, ka edhe një dozë njerëzillëku. Pra, nuk është keq që një qytet tjetër, përveç Tiranës, të hapë një mensë sociale, të ketë një qendër ku ndihmohet dikush në vështirësi. Jam i lumtur që me këtë dozë njerëzillëku punon jo vetëm kjo qendër sociale, por gjithë infrastruktura jonë sociale në Tiranë”- tha Veliaj




Skip to toolbar