“Frikë nga një revoltë arabe”, Izraeli: Do të pajisim civilët me armë

BOTA


Teksa ushtria izraelite ka rrethuar Gazën dhe nisja e një inkursioni nga toka për të neutralizuar plotësisht forcat e Hamasit pritet në orët në vijim, ministri i Sigurisë në Jerusalem ka hedhur idenë e pajisjes së civilëve hebrej me armë.

“Lufta tregon se është e nevojshme shpërndarja e armëve për qytetarët”, tha ministri Itamar Ben Gvir.

Duke iu referuar trazirave të majit 2021 në të cilat shpërtheu dhuna e gjerë në qytetet izraelite me popullsi të përzier hebreje dhe arabe, Ben Gvir tha se kishte udhëzuar shefin e policisë që të përgatitej për t’i bërë ballë një kryengritje të re.

“Unë mendoj se është afër“, tha ai.

Ben Gvir foli për shtypin në Sderot, një qytet pranë Rripit të Gazës duke theksuar: “Kam dhënë urdhër që nga sot të gjithë këtu të mund të ecin të armatosur”.

Sakaq, zëdhënësi i ushtrisë, Daniel Hagari ka njoftuar mediat se 18 pjesëtarë të milicisë së Hamasit u vranë nga forcat izraelite. “Këta janë terroristët që nuk ishin kthyer në Gaza. Kjo është arsyeja pse kontrollet bëhen me një numër të madh ushtarësh”, shpjegoi ai.

Ndërkohë, raportohet se të paktën 7 gazetarë kanë mbetur të vrarë në Rripin e Gazës që kur Hamasi filloi sulmin e tij ndaj Izraelit. Kjo bëhet e ditur nga grupet e lirisë së shtypit, sipas të cilave ky numër mund të rritet edhe më tej në ditët në vijim.

Sa i përket Gazës, Presidenti i Autoritetit Palestinez të Energjisë, Thafer Melhem njoftoi se dy milionë banorë do të mbeten plotësisht pa energji elektrike brenda 10-12 orëve, pasi i vetmi termocentral që furnizon zonën do të mbesë pa karburant si pasojë e bllokadës nga Izraeli.



Skip to toolbar