FT: Hakmarrja e paralajmëruar ndaj Izraelit dhe lëvizjet e kujdesshme të Iranit për të shmangur konfliktin rajonal

BOTA


Irani planifikon t’i përgjigjet sulmit të Izraelit, por në një mënyrë që nuk do të çojë në përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit, sipas Financial Times, duke cituar zyrtarë që kanë njohuri për bisedimet e Teheranit me vendet aleate dhe udhëheqësit perëndimorë.

Sipas burimeve, Irani e ka bërë të qartë se nuk do të lërë pa përgjigje sulmin e  Izraelit ndaj ambasadës së tij në Damask, pasi konsiderohet si një sulm në tokën e tij por do të vlerësojë me kujdes lëvizjet e tij për të shmangur një konflikt rajonal.

Në këtë kontekst Teherani nuk ka gjasa të synojë objektet diplomatike izraelite në rajon, tha për FT një zyrtar i informuar mbi bisedimet midis Iranit dhe Omanit, shteti i Gjirit që shpesh ka lehtësuar diplomacinë midis Iranit dhe SHBA-së.

Joe Biden tha të premten se një sulm iranian pritet në të ardhmen e afërt. Ai paralajmëroi Teheranin që të mos sulmojë Izraelin, ndërsa deklaroi se SHBA-të janë të përkushtuara për mbrojtjen e tij, raporton abcnews.al.

Qeveria amerikane ka rritur shumë praninë e saj ushtarake në rajon, duke thënë se dëshiron të punojë për të mbrojtur forcat amerikane. Ndërsa shqetësimi i konfliktit rajonal është i dukshëm, duket se zyrtarët perëndimorë besojnë se përshkallëzimi mund të shmanget.

Luftë nervash

Sipas një burimi të brendshëm të Teheranit, Irani ishte gati të merrte kohën e tij për të maksimizuar ndikimin politik të përgjigjes së tij. Ai vuri në dukje se Irani po kërkon qëllimisht të rraskapisë Izraelin, si duke krijuar pasiguri psikologjike dhe duke e detyruar atë të qëndrojë në gatishmëri të lartë.

Ai shtoi se Irani do të përdorte një “kombinim” opsionesh në sulmet e tij kundër Izraelit, pa elaboruar më tej.

Përgjigja e pritshme e Iranit ka krijuar tashmë një ndjenjë shqetësimi në Izrael.

Teherani ka qenë në gatishmëri për shtatë muaj

Përsa i përket lëvizjeve dhe synimeve të Teheranit, duhet të kemi parasysh si historinë e konfliktit me Izraelin, qëndrimin që mbajti Irani në luftën në Gaza, ashtu edhe formimin e kushteve gjeopolitike pas shtatë muajsh lufte.

Teherani që nga fillimi i luftës në Gaza ka qënë në pritje ndoshta duke shpresuar për një izolim të ngadalshëm, por të sigurt të Izraelit. Edhe pse është kritikuar për braktisjen e palestinezëve në fatin e tyre, Teherani e ka bërë të qartë se nuk dëshiron një përshkallëzim të konfliktit, raporton abcnews.al.

Kush dëshiron luftë të përgjithshme?

Përveç kësaj, shtatë muaj më vonë, ka më shumë zëra në Iran që paralajmërojnë se Izraeli po përpiqet të tërheqë Teheranin në luftë në mënyrë që Netanyahu të dalë nga ngërçi në Gaza.

Sulmi ndaj ambasadës iraniane në Damask dhe vrasja e një komandanti të lartë të Gardës Revolucionare interpretohet nga disa analistë si dëshmi e gatishmërisë së Izraelit për një luftë të përgjithshme.

Historia e konfliktit Izrael-Iran

Për sa i përket historisë së konfliktit Izrael-Iran, vlen të theksohet se të dy vendet nuk kanë shkëmbyer kurrë zjarr duke përdorur sulme të nisura nga territori i tyre. Rasti i vetëm unik ka qenë në vitin 2018 kur forcat iraniane nga Siria qëlluan drejtpërdrejt në Izrael.

Irani ka ndërtuar mbështetjen e tij ushtarake për dekada në Liban dhe për më shumë se një dekadë në Siri, por nuk e ka vendosur plotësisht atë kundër Izraelit.

Teherani gjithashtu ka shmangur me kujdes konfliktin e drejtpërdrejtë me Izraelin, duke zgjedhur të mos përgjigjet ndaj vrasjeve të personelit të sigurisë brenda Republikës Islamike në vitet e fundit, për të cilat fajëson agjencinë e spiunazhit të Izraelit Mossad, raporton abcnews.al.

Por si do të reagojë Teherani?

Për sa i përket goditjes që duhet të zgjedhë Teherani, Financial Time raporton se është përballur me disa kufizime. Nëse zgjedhja përfshin një mision diplomatik izraelit, “Tehrani nuk mund të rrezikojë izolimin e mëtejshëm ndërkombëtar duke goditur objektivat diplomatike izraelite në një vend mik dhe nuk mund të synojë lehtësisht asetet diplomatike izraelite në shtetet jomiqësore”, tha një zyrtar perëndimor. “Kjo kufizon opsionet e tyre,” shtoi ai.

Edhe një sulm i drejtpërdrejtë në tokën izraelite ka të ngjarë të llogaritet në një mënyrë që do të nxiste një përgjigje të fortë pa provokuar hakmarrjen izraelite që do të çonte në shkatërrimin e aseteve iraniane në Liban dhe Siri, tha zyrtari perëndimor, duke paralajmëruar megjithatë se gjithmonë në këto raste rreziku është më i madh.

Diplomatë të tjerë perëndimorë thanë se Izraeli mund të toleronte një sulm që shkaktoi vetëm disa dëme materiale në instalimet ushtarake, pa lëndime apo viktima, raporton abcnews.al.

Por qeveria Netanyahu ka provuar shumë herë deri më tani se mund të jetë e pakontrolluar dhe pavarësisht faktit që SHBA thotë se nuk duhet të ketë përshkallëzim, situata mund të dalë jashtë kontrollit.

Prania ushtarake në rajon po rritet

Izraeli dhe SHBA, të cilat kanë rritur praninë e tyre ushtarake në rajon për të penguar Iranin dhe përfaqësuesit e tij, janë përgatitur për sulme ndaj objektiva ushtarake në zonat kufitare të Izraelit verior, ku shumica e popullsisë civile tashmë është evakuuar tha zyrtari izraelit.

Gjenerali Michael Kurila, komandanti më i lartë i SHBA-së në Lindjen e Mesme, është në Izrael duke u takuar me zyrtarë të lartë të mbrojtjes dhe ushtrisë izraelite për të ndihmuar në përgatitjen e një reagimi të mundshëm ushtarak.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin foli me homologun e tij izraelit të enjten mbrëma për të “përsëritur mbështetjen e plotë të SHBA për mbrojtjen e Izraelit kundër sulmeve iraniane”, sipas Pentagonit.

Zyrtari perëndimor informoi tha se ekzistonte mundësia që Irani të zhvillonte një raketë për herë të parë, duke demonstruar aftësi teknike  që do të tregonte se është në gjendje të ndëshkojë Izraelin.



Skip to toolbar