Fuga: Pse bërtisni se dolën pagat, le të dalë maskaralliku në shesh

Më të fundit


Ndërsa masa e qytetarëve rri në heshtje, bota mediatiko-politike zjen për atë se përse dolën pagat mujore të qindra mijë njerëzve, vendet e punës dhe ndonjë gjë tjetër e këtij lloji.

Mund të mos jetë etike? ndonëse nuk e di se në cilin kod etik është shkruar, në zakone jo njëherë, sepse shqiptari shqiptarit tradicionalisht ja ka dit sa iç mbante qesja, prodhimet bujqësore, shtëpia, etj.

Nuk di sa është antligjore, por e mundet, përtoj të hap deftere tani, por ndërkaq çdo punëdhënës na njeh “dhëmbë e dhëmballë” të gjithëve, taksat, agjencitë financiare, e dhjetra e dhjetra njerëz.

E përse e rrezikoka paqen sociale ? Mbase por nuk shoh ta rrezikojë paqen sociale kur ai që ka vetëm një biçikletë të vjetër sheh ata që kanë vetura e banesa superlluksoze, dhe përsëri nuk bën zë!

Unë di diçka. Ndofta gabimisht, ndofta antiligjërisht, ndofta një dorë e fshehtë i nxorri këto.

E pastaj?

Aty ka transparencë.

Qytetarët nuk vuajnë se të ardhurat e disa grupeve sociale dalin në dritë. Populli vuan nga që nuk di asgjë se çfarë bëhet me taksat e tij që përdoren si rroga në shtet. Ai që punon dhe sipas ligjit merr, hallall i qoftë! Por, këtu ka disa kufinj që aty fillon maskaralliku.

Le të dalë maskaralliku në shesh! Parimet e gazetarisë investigative janë që nëse e vërteta është më e rëndësishme sesa ruajtja e ndonjë neni ligji, që ka se kush e ruan, kjo e vërtetë të dalë qartë në pah!

Të shohi mileti se a ka punonjës publikë të lartë që në konflikt interesi kanë të punësuar veten, fëmijë, apo bashkëshortet në sipërmarrje private duke qenë në konflikt interesi?

Të shohi mileti nëse gazetarë, opinionistën, lidera opinionesh etj, janë të punësuar në poste në administratën publike ose në privatë, nëse janë në konflikt interesi, dhe të dali kjo?

Të shohi mileti se çfarë rrogash, dietash, përfitimesh për telefona, pagesa të tjera të ligjshme dhe të jashtëligjshme marrin deputetë, nëpunës shumë të lartë!

Cfarë të keqe ka?

Ndonjë ligj mbase është shkelur, ta ruajë ai që i takon, kurse shoqëria përfiton nga e vërteta!

Përse bërtisni! Kush ka turp se dalin të ardhurat! Me punë ai që i ka t’i gëzojë! Kush i ka me konflikt interesi në dëm të publikut, të bëhet transparenca!

Pastaj të shohë publiku se kush punon ku, për të parë sesi në shumë ins titucione publike situata ka ardhur në atë pikë ku janë grumbulluar me dyndje të afërm, fëmijë, bashkëshortë e bashkëshorte njërezish që kanë poste, influenca, e gjithçka.

Cfarë studimi sociologjik do të dilte të shihej se cilat shtresa shoqërore kapin buxhetin publik si rroga. Jo për të dënuar njeri, por për të parë sesi pjesa e madhe e shoqërisë është e përjashtuar nga mundësia që të bëjë karrierë në administratën publike!

Pse bërtisni?

Merreni me ngadalë!

Ju sikur kërkoni transparencë!

Tani pavarësisht ngjyrave politike bërtasim: Skandaaaaaaal!

Dakord skandal! Por na shpjegoni ku prishet paqja sociale? Ku dhe cili ligj është cënuar juridikisht? Cili kod etik!

Se dakord, ka disa që bërtasin dhe u vërsulin policinë e prokurorinë atyre që e paskan botuar! Por, unë nuk përjashtoj edhe ndokënd që bërtet skandaaaaaal, mbylliniiiii, të drejtat e personiiiiiit, por në fakt ka në mend të mbajë mbyllur kapakun e wc që kur hapet lëshon aroma të pakëndëshme, por të vërteta!

Kjo qenka një thesar për studime sociologjike. Aman kush e ka ta ruajë, ta përdorim si stok të dhënash për të kuptuar se ku jetojmë dhe se përse disa përtej ngjyrave të kundërta politike janë bythebrek me njeri tjetrin, përse bërtasin urrrrrra pas çdo fjale të një shtetari, se përse disa lehin sepse radiotelevizioni publik u paguan rroga sheikësh, pa pikë turpi, se përse disa vishen si të ishin kalamajtë e Kontikacikut dhe ca hanë bukë thatë në mëngjes, bukë me nutella lyer hollë në drekë, dhe nutella pa bukë në darkë!

Mos e zini halen e hapur me të bërtitura:

Policiaaaaaaa!

Sapakuuuuu!

Prokuroriaaaaaaa!

Me ngadalë, më qetë!



Skip to toolbar