Edvin Kondili është një prej kandidatëve për kreun e SPAK. Ai prezantoi para anëtarëve të KLP-së platformën e tij nëse zgjidhet në krye të Prokurorisë së Posaçme. Kondili tha se ka guximin, vizionin dhe përgatitjen profesionale për të drejtuar SPAK.
“Kam aplikuar për të qenë në krye të SPAK pasi mendoj se kam guxim, vizion dhe përgatitjen profesionale për të drejtuar Prokurorinë e Posaçme. Nëse do jem drejtues i SPAK do te kem angazhim maksimal që SPAK të jetë shembull i kthimit të besimit tek publiku dhe patjetër që do japim kontributin tonë për të qenë pjese e BE-së”, u shpreh Kondili.
Ai tha se aftësia dhe eksperienca e tij për të hetuar dhe përfaqësuar në gjykim çështje penale mjaft komplekse, me një numër të lartë të pandehurish është tregues i plotësimit të standardit që kërkohet.
Roli im në cilësinë e drejtuesit të këtij komisioni në bashkëpunim të plotë dhe me dy anëtarët e tjerë të komisionit, ka qenë shumë i rëndësishëm për ta krijuar këtë komision, për ta hartuar rregulloren dhe funksionimin e tij si dhe për të përcaktuar procedura që duhet të ndjekë ky komision në realizimin e detyrimeve të tij ligjore.
Duhet përmendur se kjo është një strukturë e ngritur për herë të parë e në mungesë të theksuar burimesh njerëzore dhe eksperience edhe me kontributin tim në cilësinë e kryetari, është arritur mirëfunksionimi i kësaj strukture. Gjithashtu për shkak të qenies drejtues i seksionit kundër korrupsionit, jam personi përgjegjës nga Prokuroria e Posaçme për hartimin e raportimeve që lidhen me kapitullin 23 Gjyqësori dhe të drejtat themelore dhe kriteri politik në kuadër të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Në muajin Nëntor të këtij viti në si Prokurori e Posaçme ishim pjesëmarrës në këto raportime, unë në cilësinë e raportuesit, po natyrisht dhe të hartuesit të prezantimit të Prokurorisë së Posaçme, mora një vlerësim të themi më shumë se shumë të mirë nga ato strukturat nga të cilat ne bëmë raportimin dhe prezantimin”, ka thënë Edvin Kondili.