Garda i merr në mbrojtje, KQZ miraton vëzhguesit amerikanë për 30 qershorin

AKTUALITET


Situata politike në vend është futur në një labirint të errët, megjithëse kjo është vetëm për njërën palë, opozitën dhe Presidentin, që tashmë e kanë konfirmuar zyrtarisht se nuk do të shkojnë në zgjedhje. Megjithatë, Qeveria dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me mbështjen e ndërkombëtarëve, janë duke punuar për përmbushjen e detyrimit kushtetues, për mbajtjen e zgjedhjeve më 30 qershor.

Ndërkohë, një ditë pasi KQZ vendosi të mos njihte dekretin e Ilir Metës për shfuqizimin e dekretit që caktonte datën e zgjedhjeve, organi administrues i votimeve në Shqipëri, ka vijuar punën normalisht.

Këtë të mërkurë është zhvilluar mbledhja e radhës e KQZ, për të miratuar disa pika të rendit të ditës. Por, ajo që ka rënë në sy, ka qenë prania e punonjësve të Gardës së Republikës, të cilët kanë marrë në mbrojtje katër anëtarët e mbetur të KQZ, Denar Biba, Bledar Skënderi, Edlira Jorgaqi dhe Rezarta Bitri, pasi kryetari i këtij institucioni, Klemenet Zguri ka bojkotuar mbledhjet.

Në mbledhjen e ditës së mërkurë, KQZ miratoi listat emërore të shtetasve të cilët mund të emërohen anëtar të KQV-ve, si dhe disa pika të tjera. Një ndër pikat, ishte dhe ajo e miratimit të vëzhguesve afatgjatë të Institutit Demokratik Amerikan, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 30 qershor 2019.

Pikat e rendit të ditës të miratuara nga KQZ:

1.    “Për miratimin e listës emërore të shtetasve të cilët mund të emërohen kryesisht anëtarë KQV-ve, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të dates 30 qershor 2019”.

2.    “Për dhënien e autorizimit për ndryshimin e vendndodhjeve të disa QV-ve, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të dates 30 qershor 2019”.

3.    ‘Për miratimin e vëzhguesve afatgjatë të Institutit Demokratik Amerikan ( NDI), për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të dates 30 qershor 2019”.

4.    “Për një shtesë në Vendimin nr.669, të datës 28.05.2019 ‘Për miratimin e vëzhguesve afatgjatë të KSHH’, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të dates 30 qershor 2019”.

5.    “Për miratimin e vëzhguesve afatgjatë të Shoqatës për Gratë dhe Fëmijët, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të dates 30 qershor 2019”.



Skip to toolbar