“Do ofrojë zgjedhje të lira. Me Ramën?”. Bylykbashi debat me Lubonjën në Real Story

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, që është pjesë e “Këshillit Politik” për Reformën Zgjedhore, Oerd Bylykbashi debatoi me analistin Fatos Lubonja në studion e “Real Story”. Bylykbashi u shpreh se me Edi Ramën nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme. Ai shtoi se hartimi i Reformës Zgjedhore do t`i ofrojë shqiptarëve zgjedhje të lira dhe zgjidhjen e krizës. Por, analisti Fatos Lubonja u e pyeti Bylykbashin se si do të arrihej kjo gjë.

Pjesë nga debati:

Bylykbashi: Unë s’jam demagog e populist, jam realist. Nuk thashë shumë gjëra nga ato që tha Lubonja tani. Shtrembëruat një nga tezat e mia. Reforma Zgjedhore nuk do të bëhet asnjëherë bajonetë. Edhe kur zgjedhjet kanë qenë shumë të këqija, si ato të 2001, Reforma zgjedhore ka arritur konsensus. PD nuk ndalet në asnjë sekondë në kursin e saj, përfshi protestat. Kriza në Shqipëri është gjithnjë e më e rëndë. Kriza do vazhdojë, sa kohë Rama nuk lëviz. Në këtë situatë, duke qenë se kriza është kaq e rëndë, alternativa e zgjidhjes është me zgjedhje. Një vit ne kërkuam largimin e Ramës dhe zgjedhje të lira e të ndershme.

Lubonja: Unë dua një përgjigje, por s’po e marr. Unë po të fus në hulli.

Bylykbashi: Kemi Reformë Zgjedhore, zgjedhje të lira e të ndershme dhe zgjidhje.

Lubonja: Me Ramën kryeministër? Se ky është problemi.

Bylykbashi: Rama nuk mund të jetë kurrë garancia për zgjedhje të lira e të ndershme. Testimi i zgjedhjeve dhe i Reformës Zgjedhore bëhet vetëm me zgjedhje. Rama thotë që do rri deri më 2021, do përpiqem të vë gjyqtarët që kam kapur unë, dhe më pas testojmë dhe me kismet për shqiptarët Evropa do hapë fazën e dytë për negociatat më 2022.

Lubonja: Turqia i ka hapur negociatat qysh kur dhe ka shkuar keq e më keq. Ju e keni parasysh këtë përvojë? Ja u vonua hapja e negociatave, ç’i prishi punë Ramës?

“Shteti i Ramës është i shembur”, Basha thirrje SPAK: Hetoni shitblerjen e votës dhe koncensionet

Për Lulzim Bashën, prova që SPAK të jetë i besueshëm, është hetimi i dosjeve të shitblerjes së votës dhe koncensioneve. Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Basha u shpreh se këto dy dosje duhet të hetohen sa më parë. Ai u bëri thirrje prokurorëve të SPAK të hetojnë këto dosje, duke i quajtur “jetike për ekonominë dhe demokracinë” shqiptare.

“Ka dy dosje të shitblerjes së votës që janë në prokurori dhe këto janë testi i madh dhe i vërtetë nëse kemi apo nuk kemi SPAK. Ky është testi numër një. Hetimi i koncesioneve dhe i oligarkëve të lidhur me pushtetarët dhe anasjelltas është testi numër dy. Pa kaluar këto dy teste mund të themi se SPAK nuk është gjë tjetër veçse hije e asaj që duhet të ishte. Ndaj thirrja ime ndaj prokurorëve të SPAK është të mos humbasin asnjë sekondë kohë, por të marrin në dorë këto dy çështje jetike për ekonominë dhe demokracinë shqiptare: shitblerjen e votave dhe koncesionet korruptive të kësaj qeverie”, tha Basha.

Ndërkohë, duke folur për tërmetin dhe procesin e rindërtimit, Lulzim Basha akuzoi qeverinë se nuk po bën asgjë për banorët. Ai u shpreh se “nuk nevojiteshin paratë turke”, pasi sipas Bashës këto para t`u merreshin oligarkëve. “Pse do presim paratë e turqve, se nuk do preken paratë e oligarkëve. Se po të ishin prekur ato paratë, po të kishin minumumin e përgjegjësisë do kishim minimumi një kontenier që bën 1500-2000 euro, do kishte një zgjidhje për banorët e zonave urbane. As faturën nuk e kemi gati. Shteti është lakuriq, shteti  Ramës është më i shemburi nga tërmeti i 26 nëntorit”, tha Basha.

“PD nuk i do zgjedhjet e parakohshme”, Patozi: E ka me nge këtë punë

Astrit Patozi mendon se Partia Demokratike “nuk dëshiron zgjedhje të parakohshme”. Në një deklaratë për A2CNN, Patozi u shpreh se “PD nuk jep shenja” dhe “nuk po rrit presionin ndaj qeverisë”. “PD bën sikur kërkon zgjedhje të parakohshme, por nuk i do. Nuk jep shenja që kërkon zgjedhje. Nuk po rrit presionin ndaj qeverisë, e ka me nge këtë punë”, tha Patozi.

Sipas tij, koha tregoi që hyrja e Bindjes Demokratike në zgjedhje ishte një veprim i drejtë. Patozi tha se “nuk është penduar”, duke shtuar se “zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje në rend demokratik”.  “Nuk jam penduar aspak. Neve na dha të drejtë koha sepse thamë që zgjedhjet do të bëhen dhe nuk do të ketë konflikt. Kështu ndodhi. Të tjerët duhet të pendohen sepse bënë zgjedhjen e gabuar. E vetmja zgjidhje në rend demokratik, pavarësisht problemeve, janë zgjedhjet”, tha Patozi.

Patozi mendon gjithashtu se “Reforma Zgjedhore do të jetë arnim i këtij sistemi, me implementimin e disa rekomandimeve të OSBE\ODIHR, nuk pres asgjë të re. Bindja Demokratike ka prezantuar një platformë serioze që i jep zgjidhje problemeve të mëdha që sot vendi për shkak të keqqeverisjes. Shqipëria duhet të dalë jashtë kryetarokracisë, që është gjeneratori i korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin. Duhet të shkojmë në një sistem ku qytetarët kanë mundësi të zgjedhin”.

Maqedonia e Veriut vendos sot për zgjedhjet e parakohshme

Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski takohet të dielën me liderët e partive kryesore në vend, pas reufzimit të Këshillit Europian për hapjen e negociatave. Në takimin e së dielës, organizimi i zgjedhjeve parlamentare pritet të jetë në krye të axhendës së diskutimeve. Një ditë më parë, Zoran Zaev, kërkoi zgjedhje të parakohshme, që sipas tij, “populli të vendos për rrugën në të cilën duhet të ecë Maqedonia e Veriut”. Ndërkohë, edhe liderët e partive shqiptare, janë shprehur gati për zgjedhje të parakohshme. Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti tha se zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhja më e mirë e vendit.

“Mendoj që zgjidhja më e mirë për vendin është që të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme. Nuk do doja që ne të vendosemi në gjahtarë të fajeve sepse është e papranueshme të pranosh faj të pabërë. Republika e Maqedonisë së Veriut është një dëm kolateral i vetë dallimeve që ka BE. Në këtë rast Franca ka shfrytëzuar të drejtën statutore të vetos, për arsye se vetë BE është në kërkim të ndërtimit të situatave të reja për zgjerim. Lideri i kësaj ideje është Franca. Me keqardhje e kanë pritur të gjitha kancelaritë e Europës”, deklaroi Ahmeti.

Ndërkohë, kreu i partisë opozitare VMRO DPMNE Hristijan Mickovski deklaroi se kërkesa e Zaev për zgjedhje, tregon se vetë kryeministri pranoi dështimin për negociatat.

“Ligji është i qartë, dihet se çfarë do të thotë zgjedhje parlamentare, çfarë nënkuptojnë ligjet në zgjedhjet parlamentare, etj. Thjesht duhet t’i respektojmë dhe menjëherë të shpallim zgjedhje dhe të formojmë qeveri teknike, kryeministër teknik dhe të shkojmë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, deklaroi Mickoski.

Edhe Lëvizja Besa ka përshëndetur  propozimin e kryeministrit Zoran Zaev që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nga ky subjekt politik rikonfirmojnë qëndrimin e tyre për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në kohë sa më të shpejtë. Takimi i Pendarovskit me liderët e partive kryesore në Maqedoninë e Veriut është caktuar të mbahet në ora 17:00 në rezidencën presidenciale “Villa Vodno”.

Mero Baze: Leksionet Kosovare, që s’vlejnë për ne

Nga Mero Baze

Ka një entuziazëm fals për disa aspekte të zgjedhjeve në Kosovë, siç është numërimi i shpejtë i votave, (në fakt jo dhe aq i shpejtë se akoma s’kanë mbaruar), pranimi i humbjes nga partia në pushtet,  mungesa e incidenteve, apo sistemi elektoral.

Krahasuar me zgjedhjet e fundit në Shqipëri, numërimi i shpejtë i votave bie vërtetë në sy për mirë, por problemi nuk është as te KQZ e Shqipërisë, as te ndonjë mekanizëm vjedhjeje, por te një ndryshim dramatik i ligjit elektoral në zgjedhjet e vitit 2003, i cili imponon numërimin në qendër të KZAZ, të gjithë qendrave të votimit.

Ndryshimi u bë pas këmbënguljes dhe vetos së Sali Berishës në reformën e atëhershme zgjedhore, pasi kishte pretendimin, se votat që numërohen në qendrën e votimit, siç numërohen në gjithë botën, janë nën presion dhe mund të vidhen.

Në rrethant e zgjedhjeve të Ilir Metës të vitit 2001, që ishin të dhunshme dhe ku u përdorën policë e banditë për t’i vjedhur votat, kërkesa kishte kuptim.

Në vitin 2019 është një situatë krejt tjetër. Votat mund të  numërohen lirshëm në çdo qendër votimi dhe Shqipëria në orën 20:30 ka rezultatin e votimit në gjithë vendin. Nuk ka nevojë për numërues, nuk ka nevojë për para shtesë, por për pak komisionerë dhe nga një smartphone në çdo qendër votimi që raporton.

E ka pasur këtë më 91, 92, 94 , 96, 97, 2000 e 2001. Prandaj këta të habiturit nga përfundimi i shpejtë i zgjedhjeve në Kosovë, që në fakt akoma s’kanë mbaruar, duhet të shikojnë arsyen pse ndodh kjo, dhe jo të bëjnë hartime patetike duke krahasuar dy sisteme, që nuk janë të njëjta.

Mungesa e incidenteve në këto zgjedhje në Kosovë ishte vërtetë arritje dhe kjo ka ardhur nga fakti, se gara ishte e copëzuar, kishte shumë parti që garuan vetëm dhe nuk kishte protagonizëm blloqesh të sigurta.

Në zgjedhjet e mëparshme në Kosovë ka pasur “vjedhje industriale” votash, siç i ka përshkruar ambasadori amerikan zgjedhjet e vitit 2012, apo incidente pa fund më 2017, pasi blloqet politike ishin të pozicionuara mes tre palëve. Në këto zgjedhje Vetëvendosja ishte vetëm, LDK vetëm, dhe ish-partitë në pushtet në tre pjesë.

Nëse do të kishim koalicionet parazgjedhore të vitit 2017, siç ishte PAN, zgjedhjet do kishin tjetër rezultat. Me aq vota sa kanë marrë partitë e ish PAN, sot do kishin marrë 37 për qind dhe do ishin fituese të zgjedhjeve. Ndarja e tyre në tre pjesë ka ulur PDK në 22 për qind dhe ka lënë parti të parë Vetëvendosjen, e cila po ashtu ka rënë me 2 për qind nga 2017. E vetmja parti që është rritur në këto zgjedhje është LDK, falë Vjosa Osmanit.

Mungesa e përballjes së koalicioneve të forta e ka bërë më qytetare fushatën, pasi dhe protagonizmi ka qenë shumë i shpërndarë në disa parti.

Lidhur me pranimin e rezultatit e vetmja shenjë ishte deklarata e Kadri Veselit dhe Haradinajt për pranimin e humbjes, por nuk është se kanë pasur ndonjë mundësi tjetër. Në rastin e Haradinajt, kur merr 10 për qind, nuk ke çfarë pret të kontestosh.

Në rastin e Veselit deklarata ishte një shenjë ç’tensionuese, por ishte personale dhe jo e PDK. Partia e tij PDK, nuk e pranoi rezultatin dhe kërkoi rinumërim kombëtar të votave, pasi diferenca 3 për qind me fituesin, i ka futur në dyshime për manipulime. Kërkesa i është hedhur poshtë nga Paneli zgjedhor për ankesa.

Pra dhe në këtë rast nuk është se kemi ndonjë pranim të rezultatit me aq dëshirë.

Në Shqipëri kultura e mospranimit të rezultatit është kulturë e Sali Berishës. Ai nuk ka njohur asnjë palë zgjedhje që ka humbur, ndërsa Edi Rama ka njhur dhe zgjedhjet që ia vodhën live në TV me dhjetë vota. Sali Berisha nuk ka njohur as referendumin për kushtetutën e vitit 1998, që më vonë e “mbronte”. Por dhe ky nuk është se ka shqetësuar njeri me këtë zakon, pasi është shumë i llogaritur në këtë pikë. Të gjithë e dinë që nuk e pranon humbjen dhe aq. Ai ka pas qenë zemëruar keq me Besnik Mustafaj dhe Sokol Olldashin që pranuan me mendje të tyre humbjen me Ramën dhe u ka mbajtur qëndrim për këtë. Biles tani siç e shikoni nuk pranon as humbjen e Lulit me mandatet që dogji dhe e ka shpallur fitore, shkatërrimin e PD.

E vetmja gjë që duhet diskutuar me përgjegjshmëri nga përvoja e Kosovës, është sistemi zgjedhor.

Kosova ka propocional kombëtar, me preferencë për 5 kandidatë. Pra nuk janë lista të hapura, por preferenciale. Ti ke të drejtë të zgjedhësh pesë më të mirët, nga 100 që ka lista.

Greqia ka sistem më afër natyrës sonë, pra një sistem propocional rajonal, me preferencë, por me një “primë” për partinë fituese, që merr mbi 29 për qind, duke e çuar në 50 për qind. Sistemi grek është sistem antikrizë, që nuk të lë në duar të partive gjobvënëse, dhe që respekton fituesin. Ai është më afër realitetit shqiptar dhe ka funksionuar prej tre dekadash. Listat tërësisht të hapura, në një sistem propocional kombëtar, siç kërkojnë disa parti të vogla, është derë e hapur për çdo biznesmen apo bandit që mund të sigurojë aq vota, sa për vete duke u kthyer pastaj në faktorë politikë.

Nëse ka sistem kombëtar propocional, duhet deomos të ketë një “primë” për të çliruar fituesin nga gjobvënësit e vegjël. Në të kundërt, ky sistem që është, me preferencë deri në pesë përqind të listës  për çdo qark, do ishte i mjaftueshëm.

Për mua më rëndësi ka aspeti teknik i reformës, numërimi i shpejtë në qendër votimi, depolitizimi i komisioneve duke vendosur nëpunës publikë, si për shembull 3 mësues në çdo KZV dhe tre gjyqtarë në KZAZ dhe kështu partitë shpëtojnë nga shpenzime dhe stresi i komisionerëve. Një përpjekje për numërim elektronik do të ishte dhe më e mirëpritur, por dhe numërimi me dorë në qendra votimi e zgjidh situatën.

Shqipëria i ka pasur të gjitha sistemet zgjedhore. Më 31 Mars të 1991, e kemi nisur me mazhoritar të pastër, kemi vazhduar me mazhoritar me korrektim propocional, pastaj me korektim mazhoritar, e në fund me sistem propocional rajonal. I kemi provuar të gjithë leksionet e sistemeve dhe nuk na e ka fajin sistemi, por kultura politike brenda partive, mungesa e demokracisë brenda tyre, dhe pamundësia për të reformuar partitë që janë teknikisht të gjitha të paligjshme pasi në fillim kanë vjedhur zgjedhjet e tyre, pastaj votat e popullit. E para gjë që duhet bërë këtu, është që zgjedhjet brenda partive t’i bëjë KQZ dhe t’i certifikojë gjykata.

Nga këtu mund të fillojë një revolucion i ri, pasi do të zgjohet gara e vërtetë brenda partive dhe nuk mund të bëhen zgjedhje si ato Basha-Olldashi, ku fletët ishin me numër rendor për të identfikuar votën, listat në dorë të Bashës, dhe numëruesit badigardë të Berishës. Nuk mund të ketë demokraci dhe zgjedhje të lira në Shqipëri, pa demokraci dhe zgjedhje të lira në partitë shqiptare, ku kryetarët nuk humbasin prej 30 vitesh dhe ankohen pastaj për sistemet zgjedhore.

Harxhi në Real Story: Leksionet që na dha Kosova. E bindur për koalicion VV-LDK

Ish-zëvendësministrja e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edith Harxhi, e ftuar në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, e cilësoi procesin zgjedhor në Kosovë si “votim skandinav”. Ajo vlerësoi lartë standardet e zgjedhjeve të 6 tetorit në Kosovë, duke u shprehur se i dhanë Shqipërisë disa leksione. “Vetëvendosja nuk është ajo që ka qenë më përpara. Ka evoluar shumë. Leksioni i parë është ai i qytetarisë në zgjedhjeve. Unë e kam quajtur “votim skandinav”. Ishin zgjedhjet që kishin numrin më të madh të votuesve. E dyta, është mënyra e pranimit të rezultatit, normalisht dhe numërimi aq i shpejt, tregon që KQZ funksionon shumë mirë atje, nuk mund të them që është e depolitizuar krejtësisht”, tha Harxhi.

Duke vlerësuar pranimin e rezultatit nga partitë politike në Kosovë, Edith Harxhi u shpreh se edhe në këtë aspekt ishte leksion për Shqipërinë. Ndërkohë, sipas Harxhit, diferenca e ngushtë mes dy partive fituese, e bën normale kontestimin e rezultatit. “PDK, Veseli doli e pranoi humbjen. Ishte mjaft e mirë për Kosovën dhe një leksion për Shqipërinë. Me një rezultat aq të ngushtë, i ndan vetëm 1 deputet, në çdo vend demokratik të botës do kishte një lloj kontestimi. LDK duhet ta kishte bërë që dje. Por nëse shihni kontekstin pse kërkuan për rinumërim, ishte për mënyrën e printimit të fletëve”, tha Edith Harxhi.

Më tej, diplomatja shqiptare, shprehet se LDK është në pozicion komod për negociatat e koalicionit qeverisës. Edith Harxhi vlerëson dy figurat kryesore të opozitës, që fituan zgjedhjet, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani. “LDK është në pozicion komod për negociatat. Ajo që është më e rëndësishme është ardhja e dy të rinjve. Albin Kurti dhe Vjosa Osmani. Një zonjë që ka kritikuar shpeshherë linjën kryesore të partisë së saj, por është pranuar si e tillë. Baza e LDK-së ishte ajo e vjetra, por Mustafa duhet përgëzuar”, tha Harxhi.

Në këtë kontekst, ajo bëri një analogji të LDK-së me simotrën e saj në Shqipëri, Partinë Demokratike. Duke krahasuar figurën e Isa Mustafës për ruajtjen e unitetit në parti, ajo kritikoi Berishën, që nuk bëri të njëjtën gjë në PD, duke i lënë dorë të lirë Bashës për largimin e kritikëve nga partia. “Ndonjëherë unë bëj dhe analogji me Shqipërinë, ndonjëherë është shumë e vështirë të ruash unitetin politik. Ajo që ndodhi me LDK, edhe ata që ishin kundër Vjosa Osmanit, u zgjodhën në krye të fushatës. Fatkeqësisht kjo gjë nuk ndodhi në Shqipëri. Në rastin aktual, për mua LDK është fituese morale e këtyre zgjedhjeve”, tha Harxhi.

Në fund, ajo u shpreh se sfida më e madhe për dy partitët fituese nuk do të jetë koalicioni qeveritar, por dialogu me Serbinë. “Albin Kurti, tregon një trend shumë pozitiv për gjeneratën e re të politikanëve. Dy vitet e fundit është maturuar shumë. Për mua sfida kryesore nuk është thjesht krijimi i qeverisë së Kosovës, është dialogu me Serbinë. Këto dy parti do të jenë ato që do të drejtojnë dialogun në Kosovë”, shtoi Edith Harxhi. Ajo shtoi se mbi të gjitha Kosova edhe pse nuk ka qenë shtet, nuk del mbi ligjet e shtetit dhe i respekton ato, ndryshe nga sa ndodh në Shqipëri. /Realstory.al/

Mustafa do takojë Kurtin

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa shprehet se do të takohet me liderin e Vetëvendosjes Albin Kurti, për të diskutuar mundësinë e bashkëqeverisjes. Mustafa shprehet se në 6 tetor u ndëshkuan ata që qeverisën keq, ndërsa tani do të vijohet aty ku u la para zgjedhjeve, pra nisjen e negociatave për koalicionin paszgjedhor me Vetëvendosjen.

“Në zgjedhjet e 6 tetorit LDK mori përkrahje të gjerë nga qytetarët tanë. Qytetarët ndëshkuan ata që qeverisën keq. Në një garë tepër të ngushtë, 50:50, fituesi, LDK apo VV, do të dihet përfundimisht pasi të përfundon numërimi i plotë i të gjitha votave. Këto ditë, së bashku me kandidaten tonë për kryeministre, Vjosa Osmani, do të takohemi me Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për të vlerësuar procesin zgjedhor dhe mundësitë e bashkëqeverisjes. Do të vazhdojmë aty ku e kemi lënë para fillimit të procesit zgjedhor, duke respektuar vullnetin e qytetarëve të shprehur me votë të lirë në një proces demokratik zgjedhor por edhe interesin e LDK-së”, shkruan Isa Mustafa.

Koalicioni parazgjedhor mes LDK-së dhe Vetëvendosjes nuk u arrit, pasi të dyja palët nuk ranë dakord për çështjen e Kryeministrit. Lidhja Demokratike erdhi me kandidaten për Kryeministre Vjosa Osmani, ndërsa Vetëvendosja me kryetarin e saj Albin Kurti. Megjithatë, Koordinatori i Vetëvendosjes, Arbër Zaimi, deklaroi të hënën në “Real Story”, se në diskutimet para fushatës elektorale ishte deklaruar se “partia që do të ketë shumicën e votave në zgjedhje, do të ketë dhe Kryeministrin”.

Deri më tani, me rezultatin paraprak të zgjedhjeve në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje është para LDK-së me vota, ndërsa Albin Kurti e tha prerë natën e shpalljes së fitores, se “unë do të jem Kryeministër”, megjithatë, i bëri ftesë publike LDK-së për të diskutuar mundësinë e bashkëqeverisjes. Ndërsa të martën, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) rrëzoi tre kërkesat e partive politike, LDK, PDK dhe Nisma për rinumërim të votave në Kosovë. Ndërkohë, Arbër Zaimi, në studion e “Real Story”, u shpreh se Vetëvendosja nuk negocion tre pozicione të rëndësishme, veç Kryeministrit dhe Ministrinë e Drejtësisë, Financave dhe atë të Punëve të Brendshme.

Thaçi: Kosova dëshmoi pjekuri politike

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i cilësoi zgjedhjet shembullore që shfaqën një pjekuri të lartë politike si nga ana e qytetarëve dhe partive politike. Thaçi tha se kjo pjekuri të shfaqet edhe në formimin e qeverisë së re, që do krijohet përmes koalicioneve paszgjedhore.

 “I uroj qytetarët e Republikës së Kosovës dhe partitë politike për zgjedhjet shembullore, për votimin e dinjitetshëm, të lirë dhe demokratik. Kosova dëshmoi edhe një herë pjekuri të lartë politike dhe demokratike. Tash të njëjtën pjekuri politike duhet ta tregojmë edhe në formimin e qeverisë së re, sa më parë dhe në përballje me sfidat e menjëhershme që e presin Kosovën”, ka shkruar Thaçi.

Kosova zhvilloi të dielën më 6 tetor zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ndërsa një ditë më pas nxori rezultatin e tyre, ku nxori fitues Lëvizjen Vetëvendosje. Albin Kurti edhe pse me numrin më të lartë të votave, nuk mund ta krijojë dot i vetëm qeverinë dhe për këtë pritet të krijojë një koalicion pazgjedhur. Mbrëmjen e fitores, Kurti tha se do i dërgojë ftesë për koalicion LDK-së, megjithatë gjithçka pritet të shihet në vijimësi.

Zgjedhjet, pranga dy komisionerëve

Dy komisionerë janë arrestuar në veri të Kosovës, pasi kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare.

Në pranga kanë rënë dy komisionerët në shkollën “Sveti Sava”, njëri kryesues i vendvotimit dhe tjetrit zyrtari i identifikimit në qendrën e votimit. Sipas prokurorisë, dy të arrestuarit lejuan që të votohet në kundërshtim me rregullat e KQZ-së.

Më herët, pak minuta pas hapjes së qendrave të votimit, mes komisionerëve serb ka pasur edhe përplasje në veri të Kosovës, pasi disa dëshironin të votonin me letërnjoftim serb, kundër rregullave të KQZ-së. Duket se arrestimet u kryen në kuadër të kësja përplasje.

Kosova mban më 6 tetor zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme, për të zgjedhur qeverinë e re, pas dorëheqjes së Ramush Haradinaj si kryeministër.

Kurz, kërkon të rizgjidhet në Austri

Në zgjedhjet parlamentare të së dielës, ish-kancelari austriak, Sebastian Kurz kryeson sondazhet. Skandali i ish-partnerit të tij, FPÖ nuk e ka dëmtuar Kurz. Por a do të hidhet ai sërish në një shtrat me djathtistët?

Pak ditë para zgjedhjeve të dielën, parlamenti austriak shpalli emergjencën, jo atë politike, por të klimës. Me këtë aksion simbolik të gjitha partitë, përveç FPÖ-së, duan të japin një sinjal në një fushatë zgjedhore zvarritëse. Lufta kundër ngrohjes globlale është në modë tani. Edhe kandidati për kancelar, Sebastian Kurz e ka zbuluar këtë temë. Në fund të fundit, ish-kancelari i rrëzuar, Kurz, 33 vjeçar nuk mund të flasë gjithmonë për pengimin e migracionit në republikën e alpeve. Populistët e djathtë janë të vetmit që e quajnë histeri kufizimin e emetimit të CO2-it. Norbert Hofer, fytyra e re të djathtëve, e quan ndryshimin e klimës si Donald Trump apo kolegët e partisë populistë gjermane, AfD një gënjeshtër të fryrë tej mase.

Skandali “Ibiza” e rrëzoi koalicionin

Skandali i ish-kryetarit të partisë, FPÖ, Heinz-Christian Strache, që i ofroi favore një mbese të një gjoja oligarku rus, nuk luajti rol parësor në fushatë. Videoja e regjistruar në fshehtësi në Ibiza shkaktoi një tronditje të madhe në Austri duke sjellë rrëzimin e koalicionit të konservatorëve me populistët nën Sebastian Kurz. Pas skandalit, Kurz u detyrua të largojë edhe ministrin e Brendshëm të FPÖ, Herbert Kickl. Pas kësaj, FPÖ u hakmorr duke kërkuar një mocion mosbesimi për kancelarin, gjë që solli rrëzimin e tij dhe hapi rrugën për zgjedhje të reja. Partia populiste e djathtë e sheh veten si viktimë të një „bande kriminale”. Lidhur me skandalin e regjistrimit të videos qarkullojnë disa teori konspirative.

Kurz kryeson

Fundi jo i lavdishëm i koalicionit të partisë konservatore, ÖVP dhe djathtistëve të FPÖ nuk e ka dëmtuar ish-partnerin konservator. Sipas sondazheve të fundit, Sebastian Kurz me një ÖVP të prerë si me masë për të, kap vlerat e 33-35 %. Ai me gjasë ka për të marrë më shumë vota se në zgjedhjet e fundit, dhe mund të bëhet me distancë forca kryesore. FPÖ që ende duhet të luftojë me veten, nëse duhet ta nxjerrë jashtë delen e zezë me emrin, Heinz-Christian Strache mund të kapë 21-23%. Asaj i duhet të luftojë me socialdemokratët, që në sondazhe renditen me 25-23%, për të zënë vendin e dytë.

Akuza të reja kundër Strache

Ndërkohë po zhvillohen hetime kundër ish-kryetarit të përfshirë në skandal, FPÖ, Heinz-Christian Strache. Dyshohet, se ai së bashku me gruan, sekretaren dhe truprojën e tij kanë keqpërdorur fonde dhe kanë marrë para nga oligarkë të dyshimtë nga Europa Lindore. Truproja e tij ka pranuar të flasë dhe madje luan rol edhe në aferën e Ibizas. Megjithëse brenda FPÖ-së tani po nxirren në shesh shumë të palara, kryesia mbetet e qetë. „Ne kemi shumë votues tradicionalë që mbeten besnik”, tha një funksionare e lartë së fundmi.

Mes partive të vogla mund të gëzohen Të Gjelbrit. Ata pritet të kapërcejnë këtë herë pengesën e 4% dhe të futen në parlament, në të cilin ishin pjesë deri në vitin 2017. Kjo falë temës qendrore të ndryshimit të klimës, thotë kreu i të Gjelbërve austriakë, Werner Kogler.

Slloganet e fushatës

Duelet televizive gjatë fushatës përgjithësisht ishin paqësore. Kreu i ÖVP-së, Sebastian Kurz i dha vetes imazhin e djalit të thjeshtë nga fshati. Ai nuk harronte të përmendte, se tek gjyshërit në një zonë fshatare me dëshirë ka përkëdhelur dhitë. Dikur ishte e rëndësishme për të, të theksonte, si ishte rritur në një lagje punëtorësh në Vjenë. Por në këtë fushatë bëhet fjalë për vendin, identitetin dhe distancimin populist nga të ashtuquajturat elita. Slogani i fushatës zgjedhore të ÖVP-së ishte „Ne duam sërish kancelarin tonë!” Austria me sa duket do atë që njeh, nuk do eksperimente.

Në një duel të drejtpërdrejë me Sebastian Kurz, kandidatja kryesore e socialdemokratëve, SPÖ, Pamela Rendi-Wagner u tall me ndryshimin e imazhit të Kurz. Ai ia ktheu, se njeriu mund të rritet në dy vende. Kandidatja socialdemokrate megjithëse është larg ÖVP-së me vota, vendos optimizimin si kredo të fushatës. Sllogani i socialdemokratëve : “Yes, we Pam!”

Koaltion mes konservatorëve dhe populistëve të djathtë?

Sebastian Kurz para zgjedhjeve nuk ka bërë asnjë premtim për koalicion. Nga qarqet e tij thuhet, se bashkëpunimi me FPÖ është shumë i vështirë për të, pasi është personalisht i zhgënjyer. Por krijimi i një koalicioni tjetër duhet të jetë po ashtu i vështirë. Një rifreskim të aleancës dhjetëravjeçare ÖVP me SPÖ nuk e do asnjë palë. Për një mazhorancë me Të Gjelbrit, të cilin Sebastian Kurz mund ta përfytyronte, nuk do të mjaftonte. Me ndoshta një rezultat 8% ambientalistët janë shumë të dobët. Kurz madje ka pranuar, se mund të arrihet edhe tek një qeveri e drejtuar nga socialdemokratët, nëse partitë e vogla, Të Gjelbrit, partia liberale Neos, Lista Pilz dhe SPÖ shtojnë votat në këto zgjedhje.

Nga ana përmbajtësore, Sebastian Kurz nuk do kishte shumë rezerva të bënte koalicion me populistët e djathtë. Në çështjen e migracionit të dyja partitë janë të një mendimi: Bëhet fjalë për dashurinë për vendin, për identitetin austriak. Këto fjalë nuk janë të huaja për Sebastian Kurz. Por ai sheh disa pjesë të FPÖ-së si shumë të afërt me grupime ekstremiste të djathta, si lëvizja identitare. Kreu i FPÖ-së i mohon lidhje të tilla dhe i relativizon ato. Po ashtu për Sebastian Kurz është një halë në sy edhe ish-ministri i Brendshëm, Herbert Kickl. Ai është nr 2 tek populistët dhe në një parlament të ri mund të bëhet kryetar i grupit parlamentar. Kurz duhet pastaj të bashkëpunonte me të. „A do të bënit koalicion me blutë (simboli i partisë FPÖ, shën.red.), nëse Kickl nuk do të ishte”, e pyeti një moderatore e televizionit Puls, ish-kancelarin. Përgjigja e tij ishte: „Në fillim votohet, pastaj të shohim.”/DW/

Skip to toolbar