Ngritja dhe vënia në funksionim e Prokurorisë Sepciale (SPAK), është një nga angazhimet më të rëndësishme të momentit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Në një intervistë për A2CNN, kryetari i KLP, Gent Ibrahimi, ka treguar se fundi i shtatorit, apo fillimi i tetorit, do të jetë koha kur SPAK do të vihet në funksion.
“Kemi një listë që ka ardhur si rezultat i një procedure të dakordësuar paraprakisht, është rezultat i aplikimit sipas atyre kritereve vlerësimi që janë dakordësuar paraprakisht, çdo pakënaqësi që mund të shfaqet kur ballafaqohesh në fund me listën i hap rrugën vetëdijes që është bërë zgjedhja më e mirë e mundshme”.
“Në këto kushte mund të them se shtatori është optimist si afat duke patur parasysh se institucionet e vetting-ut do të duan kohën e tyre për të procesuar të 15 kandidatët e SPAK-ut, por fillimi i tetorit do të jetë koha kur do të jemi në gjendje që të krijojmë strukturën”, u shpreh Ibrahimi.
Aktualisht është miratuar lista paraprake me 15 emrat e prokurorëve kandidat për SPAK, një pjesë e të cilëve do të duhet të kalojnë Vettingun që të bëhen më pas anëtar të kësaj strukture. Megjithatë, KLP ka kërkuar që për këta prokurorë, Vettingu të bëhet me procedurë të përshpejtuar, duke pasur parasysh rëndësinë që ka krijimi i SPAK.