Gati SPAK, 8 prokurorë emërohen më 25 nëntor

Data 25 nëntor do të jetë një ditë e rëndësishme për Shqipërinë. Tre vjet pas miratimit në Kuvend të Reformës në Drejtësi, një nga institucionet me të rëndësishme të saj, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion dhe Antikrimit të Organizuar (SPAK), do të ketë 8 prokurorët e parë të saj. Lajmin e dha kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi gjatë një deklarate për mediat pas mbledhjes së KLP të martën.

Ibrahimi u shpreh për gazetarët se: “Kemi vendosur që në datën 25 nëntor të marrim vendimin për të emëruar 8 prokurorët e parë të SPAK”, tha ai. Më pas, do të lihet një periudhë kohe tre-javore, që ky institucion të emërojë kryetarin e tij dhe të bëhet i mundur transferimi i dosjeve hetimore nga Prokuroria e Krimeve të Rënda te SPAK.

Më pas, Prokuroria e Krimeve të Rënda do të shkrihet duke mos ekzistuar më. Ndërkohë, pasi SPAK të ketë zgjedhur kryetarin e tij, ai do të vendos dhe për strukturën e Prokurorisë Speciale, ku sipas nevojës mund të kërkojë emërimin e prokurorëve shtesë të përkohshëm. Prokurorët që do të marrin detyrën më 25 nëntor janë: Altin Dumani, Arben Kraja, Klodian Braho, Enkeleda Millonaj, Edvin Kondilli, Ened Nakuçi, Elida Kaçkini dhe Behar Dibra.

Megjithatë, ndonëse SPAK pritet të fillojë punë në fillim të muajit dhjetor, do të duhet të ngrihet paralelisht dhe Gjykata Speciale, e cila do të zëvendësojë Gjykatën e Krimeve të Rënda. Më herët, për këtë çështje, Gent Ibrahimi është shprehur se do të punohet paralelisht dhe me institucionet e tjera siç është Këshilli I Emërimeve në Drejtësi.

Gent Ibrahimi: SPAK gati në fund të shtatorit

Ngritja dhe vënia në funksionim e Prokurorisë Sepciale (SPAK), është një nga angazhimet më të rëndësishme të momentit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Në një intervistë për A2CNN, kryetari i KLP, Gent Ibrahimi, ka treguar se fundi i shtatorit, apo fillimi i tetorit, do të  jetë koha kur SPAK do të vihet në funksion.

“Kemi një listë që ka ardhur si rezultat i një procedure të dakordësuar paraprakisht, është rezultat i aplikimit sipas atyre kritereve vlerësimi që janë dakordësuar paraprakisht, çdo pakënaqësi që mund të shfaqet kur ballafaqohesh në fund me listën i hap rrugën vetëdijes që është bërë zgjedhja më e mirë e mundshme”.

“Në këto kushte mund të them se shtatori është optimist si afat duke patur parasysh se institucionet e vetting-ut do të duan kohën e tyre për të procesuar të 15 kandidatët e SPAK-ut, por fillimi i tetorit do të jetë koha kur do të jemi në gjendje që të krijojmë strukturën”, u shpreh Ibrahimi.

Aktualisht është miratuar lista paraprake me 15 emrat e prokurorëve kandidat për SPAK, një pjesë e të cilëve do të duhet të kalojnë Vettingun që të bëhen më pas anëtar të kësaj strukture. Megjithatë, KLP ka kërkuar që për këta prokurorë, Vettingu të bëhet me procedurë të përshpejtuar, duke pasur parasysh rëndësinë që ka krijimi i SPAK.

Gati ngritja e SPAK, dhjetë prokurorë kalojnë Vettingun

Prokuroria Speciale për luftën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) po shkon drejt krijimit të saj. Ngërçi kryesor, Vettingu i kandidatëve të kësaj strukture që krijohet nga Reforma në Drejtësi, tashmë është drejt zgjidhjes përfundimtare. Dhjetë nga pesëmbëdhjetë prokrurorët që nevojiten për krijimin e SPAK, tashmë kanë kaluar Vettingun. Ata janë; Enkelejda Millonai, Manjola Kajan, Arben Kraja, Bensik Muçi, Edvin Kondilli, Ened Nakuçi, Behar Dibra, Donika Prela, Dritan Prençi dhe Vladimir Mara. Praktikisht, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur që ky organ, shumë i rëndësishëm dhe jetik për vendin, të jetë funksional me 15 anëtar.

Megjithatë, duke parë rëndësinë që ka për ecurinë e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian, Kryetari i KLP-së, Gent Ibrahimi ka kërkuar që kjo strukturë të jetë funksionale dhe me dhjetë anëtar. Pra, aktualisht dhjetë prokurorët që nevojiten për krijimin e SPAK kanë kaluar Vettingun, si e vetmja pengesë kryesore. Pra, në këtë mënyrë Prokuroria e Posaçme mund të krijohet pasi është numri i nevojshëm për të ngritur këtë strukturë dhe për ta bërë funksionale. Madje, në rregulloren për ngritjen e Prokurorisë së Posaçme, në Nenin 17 pika 5,  caktohet se “Pas krijimit të Prokurorisë së Posaçme, Këshilli mund të rihapë thirrjen për aplikime në rast se ka nevojë për më tepër anëtarë”.

Në këto kushte, krijimi i Prokurorisë së Posaçme do të ishte hapi më i rëndësishëm i zbatimit të Reformës së Drejtësi. Kjo strukturë do të ketë detyrën të hetojë dhe vërë para drejtësisë të gjithë personat, përfshirë funksionarët publikë  dhe zyrtarët e lartë, që kanë abuzuar me detyrën dhe që janë përfshirë në krim të organizuar dhe korrupsion. Ndaj, krijimi i SPAK do të duhet të shoqërohet edhe me rezultate konkrete dhe të shpejta, të cilat do të ishin një faktor vendimtar për çeljen e negociatave të Shqipërisë me Be në tetor. Për këtë arsye, brenda verës, kjo strukturë pritet të jetë funksionale, dhe në fillim të vjeshtës puna e saj pritet të japë frytet e para.

Nisur nga këto kushte, ngritja e SPAK do të zgjidh edhe dilemën e zanafillës së krizës politike në vendin tonë. Arsyet pse ajo nisi, kush e nisi, dhe pse politika i trembet drejtësisë. Shqipëria është në rrugën pa kthim drejt Bashkimit Europian, dhe kjo rrugë ndonëse me vonesë, duket se ka të njëjtën trajektore si Kroacia, e cila vetëm disa vite më parë dënoi deri dhe ish-kryeministrin Sanader, duke marrë si shpërblim integrimin në BE. Ndaj, në këtë pikë, edhe për Shqipërinë duket se po afron kjo ditë, SPAK, a do të jetë çelsi që do të hap dyert e BE për Shqiprinë?

Skip to toolbar