Ish-ministri i Mbrojtes, Fatmir Mediu kërkon në Gjykatën e Posaçme pyetjen e 90 dëshmitarëve për llogari të procesit ndaj tij në këtë gjykatë për shpërthimin e Gërdecit, si pasojë e të cilit humbën jetën 26 persona.
Mes tyre zyrtarë të lartë të mbrojtjes së DASH dhe qeverive, gjeneralë të NATO dhe ish-ministrat e Mbrojtjes së qeverisë shqiptare. Gjithashtu Mediu kërkon të thirren për të dëshmuar edhe ata që janë dënuar në procese gjyqësore me vendim të formës së prerë si edhe të gjithë familjarët e viktimave.
Për ABC News, gazetari Ermal Vija i cili po ndjek nga afër seancën tha se SPAK ishte kundra kërkesës së Mediut që procesi të vijojë me gjykim të zakonshëm. Dy prokurorët, Klodian Braho e Arben Kraja e konsideruan kërkesën e ish ministrit Mediu si të pabazuar. Sakaq, Gjykata është tërhequr në dhomë këshillimi nëse do pranojë apo jo gjykimin e zakonshëm që kërkuan avokatët e Fatmir Mediut.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi më 8 shkurt 2023 dërgimin për gjykim të çështjes në ngarkim të Fatmir Mediut, i pandehur për veprat penale “shpërdorimi i detyrës”, e kryer në bashkëpunim dhe “shpërdorim i detyrës”, në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.
Mediu akuzohet se në lidhje me procesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve që është zhvilluar në ambientet e ish ‘Brigatës së Tankeve’, në fshatin Gërdec, Bashkia Vorë, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin.
Prokuroria thotë se këto akte në lidhje me shitjen dhe çmontimin e një sasie municioni “kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit dhe kanë sjellë avantazhe të padrejta për shoqëritë SAC inc dhe Albademil sh.p.k.”.
Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit në mars 2008 në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, me 26 humbje jete e qindra të plagosur.