Gjekmarkaj: Në Bulevard qëndrojnë dhe ata që përndoqën martirët, kritere për emërimin hero

POLITIKË


Analisti Agron Gjekmarkaj tha se në listat e dëshmorëve duhet të nderohen ata heronj të vërtetë që dhanë jetën kundër pushtuesit dhe jo ata emra që kanë dalë nga lista e Byrosë Politike. Gjekmarkaj tha në emisionin “Real Story” se pavarësisht se bie dakord me thelbin e drejtë të Luftës Nacional Çlirimtare, në fakt vendi ka një problem madhor pasi nuk di se sa heronj e dëshmorë ka. Ai madje hodhi akuza se shumica e heronjve janë zhveshur nga solemniteti i tyre dhe janë përdorur për propaganda politike. Këtë qëndrim Gjarmarkaj e mbajti në lidhje me debatet e krijuara me fotot e dëshmorëve të Kombit të vendosura prej disa ditësh në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Ai tha se jo të gjithë dëshmorët e varur e meritojnë titullin hero.

“Bie dakord me thelbin e luftës që ka qenë i drejtë, por nuk bie dakord me përmasat e saj. Ne nuk dimë ende se sa heronj kemi, sa dëshmorë. Heronjtë tonë gjatë historisë janë zhveshur nga solemniteti me propaganda politike. Në atë bulevard një pjesë e heronjve janë të vërtetë dhe meritojnë respekt. Një vend që nuk respekton dëshmorët e vet nuk meriton të ketë histori.

Titullin hero nuk e meritojnë atë që kanë vrarë ballistë dhe janë vrarë prej tyre. Por hero janë ata që janë vrare në përpjekje për të larguar pushtuesin. Ne duhet t’i respektojmë heronjtë e vërtetë të Shqipërisë, jo ata që janë bërë me lista nga Byroja Politike.” tha Gjekmarkaj

Pjesë nga debati:

Sokol Balla: Ata që janë vrarë nuk janë vrarë?

Agron Gjekmarkaj: Ka disa kategori të vrarësh. Kush e meriton statusin e heroit, e meriton ai që bie në përpjekje me okupatorin. E meriton Qemal Stafa, e meriton Vojo Kushi, Perlat Rexhepi, Branko Kadia, e meritojnë shumë të tjerë.

Sokol Balla: Pse ata që u vranë nga ballistët çfarë janë?

Agron Gjekmarkaj: Nuk e meritojnë ata që kanë vrarë ballistët dhe janë vrarë nga ballistët. Nuk e meritojnë ata që kanë ndjekur Abaz Kupin dhe janë vrarë nga forcat e Abaz Kupit. Absolutisht jo.

Sepse deri në 1943, lufta ka qenë plurale, rezistenca ka qenë pluraliste. Nga Mukja deri në mbarim ka pasur të gjitha trajtat e luftës civile për pushtet. Komunistët e kuptuan dhe ka dokumente pafund që lufta ndryshoi thelbin për arsye pushteti, jo për arsye kauze, jo për arsye drejtësie.

Sokol Balla: Nuk jam dakord me atë që njëra palë ishin mëkatarët dhe pala tjetër ishin shenjtorët. Gjersa flasim për elementë të luftës civile, nuk është se vetëm partizanët kanë shkrehur armën ndaj ballistëve ka pasur dhe ballistë që kanë shkrehur armën ndaj partizanëve.

Agron Gjekmarkaj: Sigurisht ndaj them që kjo kategori nuk e meriton të quhet hero, kjo që janë vrarë shqiptarët me njeri-tjetrin. Pastaj ka edhe një gjë tjetër që është edhe më e poshtër. Cila është? Në qoftë se para 6 vitesh ne e konsideruam një gjetje dhe ishte një gjetje brilante ajo e kryeministrit që i vuri martirët e kishës katolike në Bulevard, sot pas 6 vitesh ai vë aty disa nga ata që i kanë përndjekur që kanë bërë terror më shumë se Turgut Pasha në zonat katolike të Shqipërisë, në Kurbin, në Malësi të Madhe.

Sokol Balla: E diskutuam atë gafën dhe gabimin dhe pse vjen ajo. Ajo vjen për shkak se nuk sillen historianët.

Agron Gjekmarkaj: Nuk mund ta quajmë çështje të injorancës një gjë të tillë në 75-vjetorin e çlirimit. Mund ta quajmë një sinjal, një shkelje syri për një kategori të caktuar elektorale në Shqipëri, për t’u thënë që unë e kam një vështrim për ju.

Debati është i shëndoshë, debat duhet të bëjmë sepse historia në vetvete është dialektikë debati. Nuk mund të jetë totalitare që të biem të gjithë dakord me historinë.



Skip to toolbar