Gjekmarkaj: Topalli gaboi, por më shumë PD

POLITIKË


Debatet e nxehta politike që janë duke ndodhur në mesin e të djathtëve, duket se nuk po e favorizojnë aspak Partinë Demokratike dhe kjo sigurisht që është duke e dobësuar atë. Kështu e shikon “luftën civile” brenda PD, analisti Agron Gjekmarkaj.  Një prej kritikeve më të nxehta dhe të ashpra brenda të djathtëve është Jozefina Topalli, e cila kërkon në mënyrë të përsëritur largimin e Bashës duke e akuzuar atë për rrënimin e PD. Mirëpo deklaratat e saj, Gjekmarkaj i ka cilësuar të pashëndetshme dhe të ndodhura në kohën e gabuar. Madje e akuzon Topallin se ishte ajo që i hodhi benzinë zjarrit dhe bëri që të shpërthenin kritikat e tjera brenda të djathtëve. Topalli duhet të priste dhe të gjente një tjetër moment për kritikat, u shpreh Gjekmarkaj, pasi zbehu të gjithë aksionin politik të PD për të vënë në vështirës Ramën me dorëheqjen e Valdrin Pjetrit.

Nuk është as i duhur, as i shëndetshëm. Për hir të së vërtetës, benzinë zjarrit i hodhi zonja Topalli e cila, sipas meje, në raport me evolumin e ngjarjeve nuk gjeti momentin e duhur për të folur. Mund të priste edhe pak ditë. Sapo PD, nëpërmjet çështjes së Valdrin Pjetrit kishte vënë në pozite të vështirë Ramën, erdhi qëndrimi i saj radikal ndaj Bashës. Në demokraci gjithkush ka të drejtë të flasë, duke marrë për vete koston dhe nderin e atyre që nënshkruan. Gjithashtu, nuk jam dakord që, pas çdo kritike të thuhet që po i shërbehet Ramës, sikur gjithçka në PD të jetë një mrekulli. Por ‘lufta civile’ në PD i shërben Edi Ramës; kjo s’ka pikë dyshimi.”- ka thënë Gjekmarkaj në një intervistë për politiko.al


Megjithatë Gjekmarkaj është i bindur se Topalli është një aset i çmuar për PD dhe se Basha gaboi me largimin e figurave të rëndësishme demokrate. Gjekmarkaj tha se Bashës i duheshin pranë këto persona falë eksperiencave politike,  pasi e pa se largimi i tyre nuk i shërbeu aspak për mirë sidomos nga pikëpamja elektorale. “ Unë kam besuar, dhe ende besoj, që Jozefina Topalli është një aset i së djathtës. Jam dakord që elitat duhet të qarkullojnë. Por në PD-në e sotme, veç në qofsha unë qorr dy sysh, nuk shoh rreth Lulzim Bashës asnjë, të mbetur as të ardhur, të vlejë më shumë se Jozefina Topalli me eksperiencën e saj të gjatë në politikë. Diçka është e qartë: largimi i Topallit dhe disa të tjerëve nuk është bërë për asgjë parimore. Basha e ka bërë krejt për qëllime personale. Nga pikëpamja elektorale nuk i dha rezultat.

Gjekmarkaj ka folur edhe për lëvizjen “Basha ik” brenda të djathtëve, duke u shprehur se është kundër kësaj ideje që nuk ka vend aspak. “Nuk jam dakord as me këta që i thonë Bashës ‘ik ti të vijmë ne!’. As kjo nuk rri, as në qiell as në tokë.”

Në fillim të shtatorit pritet që të marrë jetë lëvizja ‘Basha Ik”, pjesë e të cilave do të jenë zërat kritikë ndaj Bashës, të cilët kanë mbajtur qëndrime të forta kundër Bashës pas zgjedhjeve të 30 qershorit. Realstory.al e paralajmëroi më herët këtë lëvizje pjesë e të cilës pritet të jenë Jozefina Topalli, Arben Ristani, Arben Imami, Edit Harxhi, Edvin Kulluri, Ibsen Elezi etj. Lëvizja “Basha ik”, një revoltë e organizuar nga të mënjanuarit e PD, do të nis si një aksion për të ngjallur shpresën në PD.




Skip to toolbar