Kryeministri Edi Rama i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë që të miratojë zgjatjen deri në fund të muajit mars, të situatës së gjendjes së jashtëzakonshme të shpallur nga qeveria si rezultat i tragjedisë së shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit.
Në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë të zhvilluar fill pas tërmetit kryeministri shpalli gjendjen e jashtëzakonshme me një afat 30 ditor, për Tiranën dhe Durrësin, fillimisht por më pas u përfshinë, Kruja, Lezha e Laçi.
Ndërsa së fundi kryeministri kërkon që kjo “gjendje” të zgjatet deri në fund të muajit mars. Lajmi është njoftuar nga Kuvendi ku kjo kërkesë e Ramës është përfshirë në axhendën e punimeve në Komisionin e Sigurisë Kombetare.
“Shqyrtim i projektvendimit “Për propozimin Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për dhënien e pëlqimit për zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore””, shkruhet në njoftimin e Kuvendit pa dhënë detaje të mëtejshme.
Sipas ligjit për mbrojtjen civile, zgjatja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore përtej afatit 30-ditor mund të bëhet vetëm me miratimin e Kuvendit.
Masat që ndërmerren
Gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore vendosen dhe të zbatohen disa masa të jashtëzakonshme për përballimin dhe lehtësimin e pasojave të fatkeqësisë, duke filluar që nga ndarja e detyrave si për institucionet publike, ashtu edhe subjektet private. Ndër masat që parashikohen janë detyrimi për përdorimin e burimeve financiare të parashikuara në buxhetin vjetor, si dhe rivlerësimin e buxhetit vjetor për përballimin e fatkeqësisë, detyrimi për vënien në dispozicion të burimeve njerëzore dhe logjistike si dhe caktimi i objekteve shtetërore në përgjegjësinë e tyre të administrimit, që mund të vihen në dispozicion për strehimin e popullsisë së evakuuar. Ndërkaq, strukturat operacionale të sistemit të mbrojtjes civil duhet të bëjnë evakuimin e detyruar për popullsinë e rrezikuar si dhe detyrimin për organizimin e kontrollit të njëanshëm ose në bashkëpunim me komunitetin të banesave dhe objekteve private për gjetjen e të mbijetuarve dhe të viktimave të fatkeqësisë, si dhe procedurat e detyruara për kryerjen e shërbimeve funerale.
Sipas ligjit të miratuar në 17 korrik 2019, parashikohet që shteti shqiptar të përgjigjet për dëmet që shkaktohen nga pasojat e një fatkeqësie (neni 41 pika 1). Në çdo rast, kur shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore, kompensimi mund të bëhet me vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit. Ligji parashikon edhe bashkëpunimin ndërkombëtar e marrjen e asistencës ndërkombëtare nga shtetet e tjera (neni 53,54) dhe donatorët e huaj japin për parandalimin dhe përballimin e situatës së krijuar nga fatkeqësitë. Autoriteti përgjegjës për koordinimin e mbështetjes së vendit pritës, në rastet e shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore, është Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile, ndërsa në rastet e tjera është Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.
Neni 42, pika 2 paragrafi b) parashikon aktivizimin dhe organizimin e procedurës së evakuimit të detyruar për popullsinë e rrezikuar. Për këtë ka folur edhe kryeministri Rama i cili ka apeluar duke thënë se “nuk do të toleroj asnjë banor që të qëndrojë në banesën e dëmtuar. Teoria që unë nuk lë shtëpinë nuk do të funksionojë”.
Ligji ka renditur edhe atë që quhet infrastrukturë kritike, që duhet mbajtur në parametra pune e kontrolli, si furnizimi me energji elektrike, menaxhimi i gazit, naftës e nënprodukteve të saj, rrjeti i telekomunikacionit, furnizimi me ujë, me ushqime, gatishmëria e spitaleve, qendrave shëndetësore e ambulancave, sistemet e transportit të brendshëm, rrjeti hekurudhor, aeroportet dhe portet.
Në nenin 57 thuhet se përveç të drejtës për informacion në mënyrë të përhershme e të përditësuar në situatat e fatkeqësive natyrore, kanë edhe të drejtë të kërkojnë mbrojtjen e jetës së tyre dhe të pronës nga strukturat e mbrojtjes civile, sigurimin e kushteve për jetesë kur janë prekur nga fatkeqësia, deri në momentin e rikthimit në gjendje normale.
Kufizimet
Por, kjo gjendje sjell edhe disa kufizime politike. Kushtetuta parashikon në nenin 170, pika 5, që “Gjatë gjendjeve që kërkojnë marrjen e masave të jashtëzakonshme, nuk mund të ndryshohet asnjë prej këtyre akteve: Kushtetuta, ligjet për zgjedhjet për Kuvendin dhe për organet e pushtetit vendor, si dhe ligjet për masat e jashtëzakonshme”. Po ashtu në pikën 6 parashikohet që “Gjatë periudhës së zbatimit të masave të jashtëzakonshme nuk mund të zhvillohen zgjedhje vendore, nuk mund të zhvillohet referendume, si dhe nuk mund të zgjidhet një President i ri i Republikës. Kjo do të thotë se deri në fund të marsit nismat ligjore të ndërmarra do të ndërpriten dhe këtu vlen të përmendet ndoshta edhe nisma e Parlamentit për shkarkimin e Presidentit Meta, duke qenë se në ligj është përcaktuar se nuk mund të zgjidhet presidenti i ri.
Argumentet e qeverisë janë se vetëm gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore mund të merren këto vendime:
-strukturat operacionale dhe drejtuesit e tyre (Ushtria, policia, zjarrfikësit, emergjenca mjekësore) janë ne dispozicion te KNEC-se;
– mund te vendosen dhe te zbatohen masa te jashtëzakonshme per përballimin dhe lehtësimin e pasojave te fatkeqësisë, si ndaj 4 institucioneve publike, qendrore dhe vendore, ashtu edhe ndaj privateve përfshire edhe gjoba ne rast te moszbatimit te këtyre masave;
– kryhet zyrtarisht apeli për asistence, drejtuar organizmave ndërkombëtare dhe shteteve te tjera, kërkesat e specifikuara për nevojat për asistence dhe raportet periodike te situates per Qendren Evropiane te Koordinimit te Emergjencave, per Qendrën Euroatlantike te Koordinimit te Pergjigjes për Fatkeqësitë;
– mediat dhe organet e tjera te informimit publik janë te detyruara t’u referohen burimeve zyrtare per njoftime lidhur me numrin e viktimave, listën e emrave dhe te parashikimeve te metej shume per mundësinë e ndodhjes se ngjarjeve te tjera, duke shmangur transmetimin e informacioneve sensitive, si dhe duke mos krijuar panik te publiku, ne asnjë rast;
– autoritetet mund te vendosin gjoba nga 100 000 (njeqind mije) – 500 000 (peseqind mije) leke ndaj bashkive, subjekteve private dhe shtetasve nese nuk permbushin detyrimet.