Gjenerali i “tre epokave”, shuhet në moshën 100-vjeçare Rrahman Parllaku

AKTUALITET


Mbrëmjen e të dielës, në moshën 100-vjeçare, është ndarë nga jeta  Gjeneral Rrahman Parllaku. Ai është cilësuar si “Gjenerali legjendar”, për shkak të karrierës së tij të gjatë në ushtri, nga Lufta Nacional Çlirimtare deri te funksionet drejtuese në ushtri dhe ministrinë e mbrojtjes gjatë periudhës së diktaturës komuniste. Madje, ishte regjimi të cilit i shërbeu, që në vitin 1974 e dënoi me burg për “agjitacion dhe propagandë”. Gjeneral Rrahman Parllaku, e nisi karrierën e tij si ushtarak në vitin 1939, kur Shqipëria u pushtua nga Italia Fashiste.

Ai luajti rol të rëndësishëm gjatë luftës së LANÇ, duke udhëhequr disa operacione luftuese si drejtues i disa brigadave. Gjeneral Parllaku luftoi edhe në Kosovë ku së bashku me forcat jugosllave çliruan krahinën e Sanxhakut gjatë luftës së dytë botërore. Pas luftës, ai mori disa detyra drejtuese në Partinë Komuniste, derisa në vitin 1947 u rikthye në ushtri. Parllaku ka mbaruar studimet në Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë sovjetike “Voroshillov”. Pas kthimit nga studimet, ai u emërua drejtor i Drejtorisë së Organizim-Mobilizimit në Ministrinë e Mbrojtjes.

Në vitin 1952-1954 caktohet në postin e zëvendësministrit të Mbrojtjes e drejtor i Prapavijës së Ushtrisë dhe mori gradën e lartë të gjeneral-majorit, duke mbajtur poste të larta drejtuese deri në vitin 1974. Parllaku u arrestua dhe dënua për pjesëmarrje në të ashtuquajturin “puç ushtarak”, nën akuzën e “krimit dhe tradhtisë ndaj atdheut, sabotimit dhe agjitacionit dhe propagandës me rrezikshmëri të lartë”. Në bazë të këtyre akuzave u dënua me 25 vjet heqje lirie, nga të cilat 16 vjet e tri muaj i vuajti në burg (nga dhjetori i vitit 1974 deri më 17 mars të vitit 1991).



Skip to toolbar