Policia ka zbardhur detaje të reja për arrestimin e dy të rinjve për gjobëvënie 21 mijë euro në Tiranë, ku rezulton se dy të arrestuarit kanë deklaruar se personi që i ka denoncuar ua kishte borxh dhe nuk ua kthente paratë.
Sipas të dhënave nga policia, të arrestuarit janë Nikolin Fili, i njohur edhe me emrin Aldo Tafa, dhe Eugen Liçi, alias Gentian Goxhaj (Vasili). Këta dy persona, që kishin në përdorim dy emra e mbiemra, i kanë kërkuar me dhunë shokut të tyre, Alvaro Saliaj, shumën prej 21 mijë eurosh, pasi me të kanë pasur probleme edhe jashtë shtetit. Ata kanë pretenduar se kanë tentuar të bëjnë vetëgjyqësi, pasi Alvaro ua kishte borxh lekët. Megjithatë, policia i ka referuar ata në prokurori si për gjobëvënie, ashtu dhe për vetëgjyqësi.