Anti-shpifja, PS drejt rrëzimit të Metës, reagon presidenti

AKTUALITET


Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha se kuvendi do ta rrëzojë në seancë dekretin e presidentit Meta për paketën Anti-shpifje, të cilën ai refuzoi ta firmoste duke e kthyer mbrapsht në Kuvendi. Sipas Ballës, Meta nuk i dekretoi dy ligjet e paktës anti-shpifje me urdhër të Bashës. Por pas kësaj deklarate i menjëhershëm ka qenë reagimi i presidentit, i cili thotë që parlamenti nuk duhet të ecë me kokëfortësi, në rrugën e censurës.

“Unë e kam bërë komentin për këtë çështje që në seancë plenare, kur ky hap i rëndësishëm që Shqipëria hodhi për të luftuar dezinformimin si një kërcënim për cilësinë e demokracisë, jo vetëm në Shqipëri por kudo në botën demokratike, se Presidenti Ilir Meta, pas urdhrit të Lulzim Bashës, do të kthente përmes një dekreti dy ligjet komponentë të kësaj Pakete të parë të betejës mbi shpifjen. Siç edhe e kemi thënë, legjislacioni shqiptar duhet përmirësuar sa më shumë, për të garantuar fitoren e së vërtetës ndaj shpifjes. Dua të ritheksoj se përmirësimet ligjore në të dyja ligjet e Paketës Anti-shpifje janë certifikuar tërësisht nga partneri ynë i rëndësishëm, siç është OSBE, edhe në kuadër të faktit historik që Shqipëria ka nderin dhe përgjegjësinë e madhe të drejtojë këtë organizatë që mban në vetvete më shumë se 1 miliard qytetarë dhe më shumë se 57 vende. Sipas procedurës parlamentare, ditën e hënë më datë 20 janar, ardhja e dekreteve i njoftohet seancës plenare dhe më pas, menjëherë sipas procedurës, Komisioni përgjegjës do t’i shqyrtojë dhe në seancën më të parë pasuese, dekretet e Ilir Meta do të rrëzohen”, tha Balla.


Presidenti Ilir Meta teksa ka ribotuar edhe njëherë argumentet ligjore për rrëzimin e paketës Anti shpifje, ka theksuar se Shqipëria ka pësuar përkeqësim të treguesve të lirisë së medias si dhe ka ftuar Kuvendin të reflektojë.

“Liria e shprehjes, liria e medias dhe e drejta e informimit, përveç se janë të drejta themelore kushtetuese, janë të lidhura ngushtë me parimin e ndërtimit dhe funksionimit të një shteti demokratik. Shqipëria dy vitet e fundit ka një përkeqësim të këtyre treguesve, sipas konkluzioneve të organizatave prestigjoze ndërkombëtare të gazetarëve, si dhe të institucioneve ndërkombëtare që monitorojnë respektimin e lirisë së medias.

Ndaj është koha për të reflektuar dhe për të mos ecur me kokëfortësi në rrugën e censurës dhe autoritarizmit, që do të përbënte rrezik për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Edhe njëherë, i ftoj të gjithë të lexojnë me vëmendje argumentet kushtetuese dhe ligjore të kthimit për rishqyrtim në Kuvend të paketës së ashtuquajtur “anti-shpifje”, tha Meta.

Të shtunën presidenti Meta, ashtu sikurse e kishte parashikuar kryeministri Rama, vendosi të mos e dekretonte paketën e Anti-shpifjes, me argumentin se shkel parimet kushtetuese të lirisë së shprehjes dhe është një tentativë për të vendosur censurën mediatike.




Skip to toolbar