Falen të gjitha gjobat e vendosura përgjatë 10 viteve të fundit dhe që rezultojnë të pambledhura deri në 15 janar të këtij viti.Vendimi ka hyrë në fuqi dhe është botuar në fletoren zyrtare dhe parashikon fshirjen e detyrimeve ose gjobave, të cilat janë vendosur nga data 1 janar 2015 deri më 30 nëntor 2024. Vendimi i marrë përfshin të gjitha masat administrative të vendosura për ndërtime pa leje, parkim të gabuar apo tejkalim shpejtësie.
Po ashtu parashikohet të falen gjobat e vendosura nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Inspektorati Shtetëror Shëndetësor. Fshirja e detyrimeve prek edhe të penalizuarit në muajt e pandemisë Covid-19.
Në vendim parashikohet që strukturat përgjegjëse në nivel qendror dhe rajonal, sipas ndarjes së tyre të përgjegjësive, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi përgatisin listat e individëve ose personave fizikë apo juridikë, ndaj të cilëve nga struktura përkatëse është vendosur masë administrative, e cila rezulton e paekzekutuar.
Nëse Qytetarët nuk do e gjejnë emrin në listë mund të kërkojnë pranë institucioneve përkatëse që të përfshihen në të. Procesi i heqjes/fshirjes nga lista e subjekteve të debitorëve, sipas këtij vendimi, përfundon brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e tij. Pas verifikimit, nëse plotësohen kushtet ligjore, kryhet fshirja, përndryshe, subjekti njoftohet brenda 5 ditëve për refuzimin dhe ka të drejtë ankimi në gjykatë.