Gjonaj: Do zbulojmë pasuritë kriminale të fshehura në vendet e tjera

AKTUALITET


Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj është shprehur se në fokus tani është zbulimi aseteve kriminale të zyrtarëve publikë të fshehura në vendet e treta. Deklaratën ministrja e ka bërë në konferencën e GRECO ku mori pjesë me ftesë të Ministres Franceze së Drejtësisë, Nicole Belloubet.

“Gjatë 10 viteve të ardhshme duhet të nxitet më tej bashkëpunimi në zbulimin e aseteve kriminale të fshehura në vendet e tjera dhe që kanë prejardhjen nga korrupsioni dhe veprat e tjera penale që lidhen me shpërdorimin e funksioneve publike”, tha Gjonaj në fjalën e saj.


Ministrja gjithashtu vlerësoi rolin që Këshilli i Evropës dhe mekanizmat e krijuara prej saj, siç është edhe GRECO, që luajnë në forcimin e legjislacionit dhe praktikave të mira, në të gjitha vendet anëtare. Ministrja ka vlerësuar veçanërisht rolin që rekomandimet e GRECO kanë luajtur në Shqipëri në forcimin e integritetit të deputetëve, zyrtarëve publik dhe gjyqtarëve e prokurorëve. Ministrja nënvizoi faktin se, falë rekomandimeve të GRECO, Kuvendi arriti të miratonte edhe Kodin e Sjelljes së Deputetëve, si një instrument që përmirëson përgjegjshmërinë e të gjithë deputetëve.

Gjonaj ka theksuar se Shqipëria ka përmbushur plotësisht një pjesë të rekomandimeve të GRECO, veçanërisht ato që lidhen me luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor, forcimin e integritetit të nëpunësve të nivelit të lartë dhe agjencive ligjzbatuese, si dhe përmendi rolin që këto rekomandime kanë luajtur në hartimin e ligjeve të Reformës në Drejtësi, veçanërisht parimet që lidhen me llogaridhënien e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ministrja i informoi të pranishmit edhe mbi rezultatet e deritanishme të Reformës në Drejtësi, veçanërisht ecurinë e procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe rezultatet e Task Forcës Kundër Korrupsionit, si një nga mekanizmat që synon të luftojë dhe parandalojë korrupsionin në të gjitha nivelet e administratës publike.




Skip to toolbar