Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, si rrallë herë është shfaqur e ashpër, kur u ka dhënë ultimatum drejtorëve në Kukës që të përmirësojnë shërbimet, duke u dhënë vetëm tre muaj afat. Ndryshe, ata do të shkarkohen. Gjatë një takimi në Kukës, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka paralajmëruar furtunë shkarkimesh në administratë. Gjonaj u la afat drejtorëve deri më 30 Tetor për të arritur treguesit për shërbimet ndaj qytetarëve, në të kundërt do të shkarkohen. “Keni 3 muaj kohë të arrini treguesit e shërbimeve për qytetarët, ndryshe do largohet çdo drejtues. S’mund të imagjinohet kjo sjellje e administratës në vitin 2019” tha ministrja Gjonaj.
Fill pasi bëri një analizë të hollësishme mbi gjendjen aktuale të zyrave rajonale të përmbarimit, si dhe zyrat e shërbimit të provës në Kukës dhe Tropojë, Gjonaj nënvizoi një sërë problematikash që ka konstatuar duke kërkuar përgjegjshmëri më të lartë ndaj shërbimeve që duhet t’i ofrohen qytetarëve.
Me një gjuhë mjaft kritike, ministrja ka treguar disa nga shqetësimet që i vijnë nga banorët e zonës, ku nisur edhe nga to, u shpreh se “brenda datës 30 korrik ju do të keni treguesit e punës për planin që duhet të realizoni për shërbimet ndaj qytetarëve. Nëse deri më 30 tetor kur të bëjmë analizën e radhës, ky plan nuk është përmbushur plotësisht dhe treguesit nuk janë arritur, përgjegjësia bie mbi drejtuesit e të gjitha institucioneve të varësisë, të cilët do të largohen nga detyra”.
Ndër të tjera, Gjonaj theksoi “Shikoj një ngadalësi veprimesh sidomos në shërbimet përmbarimore që duhet të ofrohen nga zyrat e përmbarimit shtetëror. E di që ka edhe arritje pozitive apo përmirësime të ndjeshme, por nëse në sektorë të tjerë po ecim mirë, ne s’mundet kurrsesi që të vazhdojmë të qëndrojë në këtë nivel në shërbimin përmbarimor me impaktin që përcjell te qytetarët. E kuptoj vështirësinë e titujve që vijnë në zyrat e përmbarimit shtetëror të cilat kanë vështirësi në zgjidhje, por suksesi i performancës suaj varet në ekzekutimin e të gjitha rasteve.
Gjithashtu, ministrja e Drejtësisë ka zgjedhur që të ketë një takim edhe me drejtuesit e lartë të Partisë Socialiste në qark. Ajo u mikëprit nga perfekti i qarkut Zenel Kuçanaj, i cili i shprehu konsideratën për kontributin e ofruar lidhur me zhvillimin e mëtejshëm të zonës. Kuçanaj ka vlerësuar bashkëpunimin me Ministrinë e Drejtësisë ku ndër të tjera nënvizoi se ky qark do të forcohet edhe më tej falë mbështetjes së ofruar. Përpos vlerësimeve që ka bërë lidhur me angazhimin në fushatën elektorale të 30 Qershorit, në fjalën e saj, ministrja Gjonaj i ka bërë thirrje drejtuesve socialistë në qark që të tregojnë kujdes ndaj qytetarëve për të mos zhgënjyer besimin e tyre.