Gjykata e Durrësit del mbi KQZ, refuzon fituesen: BD u regjistrua jashtë afateve

AKTUALITET


Gjykata e Durrësit ka dhënë të mërkurën një vendim të papritur duke mos pranuar të mandatojë kandidaten e PS-së, Valbona Sako, fituese në zgjedhjet e 30 qershorit me argumentin se partia Bindja Demokratike është regjistruar si subjekt zgjedhor jashtë afateve ligjore dhe për këtë shkak zgjedhjet janë nul. Një vendim ky hapur kundër KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor që kanë certifikuar procesin zgjedhor por edhe krejt ndryshe nga vendimet e gjykatave të tjera në mbarë vendin që tashmë i kanë dhënë mandatin zyrtar fituesve në zgjedhje. Vendimi në gjykatën e Durrësit mban firmën  e gjyqtares Mimoza Margjeka. Pritet që çështja të diskutohet edhe në gjykatën e Apelit.

Gjykata në vendimin e zbardhur, shpall të pavlefshëm edhe fletën e votimit për kandidatët për kryetar bashkisë në Durrës, fletë ku kishte dy emra, Valbona Sakon nga PS dhe Valbona Sakollarin nga Bindja Demokratike. Në argumentin e tretë të vendimit, thuhet se edhe rezultati i votimit për zgjedhjet për kryetar të Bashkisë së Durrësit në zgjedhjet e 30 qershorit, është i pavlefshëm.

“Gjykata bazuar në nenin 60 pika 1 e ligjit 139/2015 për qeverisjen vendore, vendosi rrëzimin e kërkesës së kërkueses Valdbona Sako për vërtetimin e mandatit të Kryetarit të bashkisë Durrës”, – thuhet në vendimin e Gjykatës së Durrësit, ndaj të cilit mund të bëhet ankimim në Gjykatën e Apelit të Durrësit brenda afatit ligjor 5 ditor, duke filluar nga e nesërmja, 18 korriku.

Vendimi pritet të apelohet në Gjykatën e Durrësit dhe do të rihapë edhe një herë diskutimet mbi ligjshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit. Nëse ky vendim do të konfirmohet nga Gjykata e Apelit e Durrësit, ai do të rrëzojë praktikisht zgjedhjet në 22 bashki, përfshi edhe atë të Tiranës, ku kanë kandiduar përfaqësuesit e BD-së për kryebashkiakë.

Partia Bindja Demokratike u regjistrua si subjekt zgjedhor 17 ditë pas afatit zyrtar për regjistrimin e partive politike për zgjedhjet e 30 qershorit, por pavarësisht kësaj KQZ e quajti të ligjshme.

Kujtojmë se disa ditë më herët Partia Demokratike u bëri thirrje gjyqtarëve, që të mos certifikojnë kryebashkiakët e Partisë Socialiste, pasi sipas tyre zgjedhjet e 30 qershorin ishin farsë, dhe se gara e vërtetë elektorale sipas opozitës, do të bëhet më 13 tetor, datë e dekretuar nga Presidenti Ilir Meta.



Skip to toolbar