Gjykata e Krujës liron Endrit Doklen, anëtarin e bandës së Durrësit

#NËRADAR


Gjykata e Krujës i heq dënimin e përjetshëm dhe lë të lirë ish-anëtarin e “Bandës së Durrësit”, Endrit Dokle. Vendimi është marrë të martën nga gjyqtarja Enkeleida Hoxha. Gjyqtarja pranoi që Endrit Dokles t`i hiqet dënimi përjetë, duke e konvertuar atë në 25 vite burgim, e më pas, duke pranuar kërkesën e avokatëve të Dokles për lirimin me kusht të klientetit të tyre.

“Pranimin e kërkesës së kërkuesit Endrit Dokle. Lirimin me kusht të kërkuesit Endrit Dokle, i biri i Mensurit dhe i Rahimes datëlindja 31.12.1983, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë, duke e vënë në provë për një periudhë  prej 5 (pesë)  vjetësh. Në zbatim të nenit 60 pika 9 të Kodit Penal detyrohet Endrit Dokle që gjatë kohës së provës të mos shoqërohet me persona të caktuar kryesisht me të dënuar apo bashkëpunëtorë të veprës penale. Në zbatim të nenit 60 pika 10 e Kodit Penal detyrohet kërkuesi Endrit Dokle që gjatë periudhës së provës të mos zotërojë, mbajë apo përdorë armë. Urdhërohet kërkuesi Endrit Dokle të mbajë kontakte me Shërbimin eProvës”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Krujës.      

Po çfarë ka ndodhur që Endrit Dokle sot është i lirë?

Endrit Dokle ishte dënuar me burgim të përjetshëm për akuzën e vrasjes. Dënimi përjetë i tij ishte lënë në fuqi nga Gjykata e Lartë në vitin 2014 dhe Gjykata Kushtetuese në vitin 2016, pasi i dënuari kishte bërë kërkesë për ndryshimin e dënimit. Mirëpo, Gjykata e Krujës ka rrëzuar vendimet e dy organeve të larta gjyqësore të vendit, duke i dhënë lirinë me kusht Endrit Dokles. Në fakt, i dënuari kishte kërkuar gjatë vitit të kaluar ndryshimin e vendit të vuajtjes së dënimit, nga burgu i sigurisë së lartë në Fushë Krujë, në një burg të sigurisë së zakonshme. Kërkesa ishte pranuar nga e njëjta gjyqtare, Enkeleida Hoxha. Në këto rrethana atij i lindte e drejta për ulje të dënimit.

Ndërkohë, pasi kishte arritur të ndryshonte vendin e vuajtjes së dënimit, Endrit Dokle nëpërmjet avokatëve të tij paraqitet përsëri në Gjykatën e Krujës në tetor të vitit të kaluar. Kërkesa këtë herë është lirim me kusht, pasi i dënuari kishte vuajtur ¾ e dënimit. Gjyqtarja që shqyrton çështjen e Endrit Dokles është përsëri Enkeleida Hoxha. Ndërkohë, pasi është bërë kërkesa nga i dënuari, janë zhvilluar gjashtë seanca gjyqësore, ndërsa të martën më 14 janar është dhënë dhe vendimi përfundimtar duke liruar me kusht të dënuarin Endrit Dokle. /Realstory.al/



Skip to toolbar