Lirimi i Dokles, Prokuroria Krujë: Do të ankimojmë vendimin

AKTUALITET


Vendimi i gjyqtares Enkelejda Hoxha për lirimin e ish-numrit dy të ish-bandës së Durrësit, Endrit Dokle ka sjell reagimin e ashpër të Prokurorisë Krujë. Prokuroria Krujë thotë se do të ankimojë këtë vendim si dhe sqaron se ka kërkuar largimin e gjyqtares së çështjes me arsyetimin se i njëjti trup gjykues ka dhënë vendime në favor të kërkuesit, por kjo kërkesë nuk është pranuar nga gjykata. Prokuroria Krujë shprehet se ka kërkuar rrëzimin e kësaj kërkese pasi nuk plotësohen kushtet ligjore dhe arsyet e mjaftueshme për të lënë në shërbim prove me 5 vite Endrit Doklen, i cili është i dënuar me burgim të përjetshëm.

Gjykata e Shkallës së Parë Krujë me vendimin nr. 6/123 datë 14.01.2020 vendosi : “Pranimin e kërkesës së kërkuesit Endrit Dokle. Lirimin me kusht të kërkuesit Endrit Dokle, i biri i Mensurit dhe i Rahimes datëlindja 31.12.1983, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë, duke e vënë në provë për një periudhë  prej 5 (pesë)  vjetësh. Në zbatim të nenit 60 pika 9 të Kodit Penal detyrohet Endrit Dokle që gjatë kohës së provës të mos shoqërohet me persona të caktuar kryesisht me të dënuar apo bashkëpunëtorë të veprës penale. Në zbatim të nenit 60 pika 10 e Kodit Penal detyrohet kërkuesi Endrit Dokle që gjatë periudhës së provës të mos zotërojë, mbajë apo përdorë armë. Urdhërohet kërkuesi Endrit Dokle të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës”.        


Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë ka qenë pjesëmarrëse në këtë proces dhe ka mbajtur qëndrimin e plotë për rrëzimin e kërkesës, me arsyetimin se jo vetëm se nuk plotësohen kushtet ligjore të parashikuara nga neni 64 i Kodit Penal, por edhe se nuk ekzistojnë të provuara arsyet e veçanta që kërkon norma. Gjithashtu prokuroria ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares së çështjes me arsyetimin se i njëjti trup gjykues ka dhënë vendime  në favor të kërkuesit,  kërkesë e cila nuk është pranuar nga gjykata. Të gjitha kundërshtimet në lidhje me shkeljet procedurale si dhe zbatim të gabuar të ligjit Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë do t’i parashtrojë në ankim brenda afatit ligjor” shkruhet në reagimin e Prokurorisë së Krujës.

Pas 20 vitesh burg, gjyqtarja Enkelejda Hoxha vendosi që të pranonte kërkesën e avokatëve për shuarjen e dënimit të përjetshëm duke ia konvertuar në 25 vite për Endrit Doklen, ndërsa më pas e ka liruar me kusht me 5 vite shërbim prove.  




Skip to toolbar