Gjykata e Lartë prishi vendimin e Apelit për vulën e PD dhe e riktheu cështjen për rishqyrtim në këtë gjykatë me një trupë tjetër.
Kjo është një fitore e vogël për Berishën që kishte bërë rekurs në Gjykatën e Lartë kundër vendimit të 3 marsit të Apelit.
Tashmë vula nuk është më në dorë të Bashës deri në një vendim të dytë të Apelit edhe pse ai në gjykatë figuron kryetar i PD.
Për ironi, që në nisje të seancës në Gjykatën e Lartë para saj Berisha mblodhi pak mbështetës në protestë.
Njoftimi i gjykatës:
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë njofton, se në datën 27.12.2023, mori në shqyrtim në dhomë këshillimi çështjen me nr. 90600-00296-00-2023 akti, me palë kërkues: Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit, me objekt: “Depozitim ndryshimesh statutore dhe vendimmarrje të Kuvendit Kombëtar.”
Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, Kolegji Civil arriti në përfundimin se Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 44, datë 03.03.2023 ka lejuar shkelje procedurale që e bëjnë të cenueshëm vendimin e dhënë prej saj.
Kolegji konstaton se, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë nuk i ka dhënë përgjigje kërkesave të palëve në ankimet respektive, ndërkohë që kryesisht ka marrë në shqyrtim çështje për të cilat palët nuk i kanë ngritur si pretendime në ankim, dhe që gjithsesi nuk përbëjnë shkak për prishjen e vendimit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim.
Kolegji vlerëson se pretendimet e ngritura në ankimet e paraqitura pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë janë çështje të cilat mund të zgjidheshin vetë nga ajo gjykatë.
Në këto kushte, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 480 dhe nenin 485, pika 1, shkronja “c” të Kodit të Procedurës Civile, vendosi:
“Prishjen e vendimit nr. 44, datë 03.03.2023 të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykate, me një trupë tjetër gjykuese”