Gjykata Kushtetuese është shumë pranë krijimit të saj. “Për dy ditë do të jetë gati lista përfundimtare me kandidatët që plotësojnë kriteret për të qenë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.” Kështu ka deklaruar kreu i Këshilli të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani.
“Menjëherë pas përfundimit të verifikimeve nga KED, do të nisë intervistimi i kandidatëve. KED ka përfunduar verifikimet për 11 nga 14 kandidatët, që garojnë për 6 vendet vakante.” tha Dvorani për ABC news.
Gjykata Kushtetuese, organi më i lartë i drejtësisë që garanton respektimin e Kushtetutës, aktualisht është jashtë çdo funksioni. Puna për ngritjen dhe funksionimin e saj ka nisur në fillim të korrikut me emrat e kandidatëve të parë që pritet t’i drejtohen Kuvendit dhe Presidentit. Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë , ku tre anëtarë do të duhet të emërohen nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi dhe tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë.
Kjo gjykatë pritet të bëhet funksionale në fillim të shtatorit dhe ndër çështjet e para që pritet të diskutojë është shkarkimi i presidentit Meta, kërkesë e miratuar në Kuvend me 100 vota pro. Një tjetër kërkesë e dërguar në Kushtetuese është edhe ajo e Shoqatës së Bashkive, e kryesuar nga Voltana Ademi për të shpallur procesin e 30 qershorit antikushtetues si dhe vendimin e fundit të çuar nga presidenti Meta për ligjin për shembjen e Teatrit Kombëtar.