Gjykata refuzon Becchetin/ GJEDNJ nuk shqyrton ankesat e tij kundër shtetit shqiptar

AKTUALITET


Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka refuzuar të marrë në konsideratë ankesat e Francesco Becchetit dhe bashkëpunëtorëve të tij, në një betejë që ata i kanë shpallur shtetit shqiptar, pas problemeve me drejtësinë në vendin tonë.

Kështu në 19 tetor 2023, GJEDNJ njoftoi me shkrim se trupi gjykues e ka shpallur të papranueshme kërkesën e Becchetit, nënës së tij Liliana Condomitti dhe bashkëpunëtorëve Mauro De Renzis, Erjona Troplini, duke refuzuar shqyrtimin e çështjes së paraqitur prej tyre në gjykatë.

Ankuesit pretenduan ndër të tjera pranë GJEDNJ se deklaratat e Kryeministrit Rama (referuar postimeve të tij në Twitter për “paratë e pista” të kompanisë së Becchetit) i bënë ata të dukeshin fajtorë, përpara se të vërtetoheshin si të tillë nga gjykata, gjë që sipas tyre shkelte të drejtën për t’u prezumuar të pafajshëm.

Kjo ankesë është refuzuar përfundimisht nga GJEDNJ, e cila në vendimin e zbardhur i kujton Becchetit se nuk është i vërtetë pretendimi i tij që “Shqipëria nuk ka mjete juridike efektive që mund të shfrytëzoheshin për të trajtuar prezumimin e pafajësisë”. E thënë thjesht, Gjykata Europiane nxjerr zbuluar mashtrimin e Becchetit, kur i shkruan GJEDNJ-së se Shqipëria nuk paska mjete dhe mekanizma ligjore për të trajtuar “hallet” e tij. GJEDNJ e kthen mbrapsht kërkesën e tij, duke i kujtuar të mos injorojë institucionet shqiptare të drejtësisë, përpara se të shkojë te dera e GJEDNJ.

PJESË NGA VENDIMI I GJEDNJ:

Kërkuesit, aksionerë në kompani të ndryshme tregtare, ndër të cilët pronari i “Agon Channel”, një kanal televiziv privat në Shqipëri dhe Itali përballen me akuza penale për falsifikim dokumentesh dhe pastrim parash, për të cilat u dënuan më 23 shkurt 2022 në shkallën e parë dhe bënë ankesa të cilat janë ende në pritje.

Ankesa 1: Prangosja
Një nga kërkuesit u ankua se prangosja gjatë seancës gjyqësore të datës 9 qershor 2015 ishte në shkelje të të drejtave të njeriut. Gjykata shprehu se, edhe nëse ky trajtim ishte i rëndë, nuk sillte ndjekje penale për personat përgjegjës. Një padi civile për dëmshpërblim do të kishte mjaftuar, por kërkuesja nuk e kishte ndjekur një procedurë të tillë ose nuk e kishte sjellë çështjen në vëmendjen e autoriteteve. Prandaj, kjo ankesë u refuzua për shkak të mos shterimit të mjeteve juridike të brendshme, që kërkuesja kishin në dispozicion në Shqipëri.

Ankesa 2: Prezumimi i pafajësisë:

Kërkuesit pretenduan se deklaratat e Kryeministrit (referuar postimeve në Twitter për “paratë e pista” të kompanisë së kërkuesve dhe daljes së tij në programe televizive duke komentuar hetimin e pastrimit të parave në Shqipëri) i bënë ata të dukeshin fajtorë, përpara se të vërtetoheshin si të tillë nga gjykata, gjë që sipas tyre shkelte të drejtën për t’u prezumuar të pafajshëm.

Gjykata theksoi se prezumimi i pafajësisë është pjesë e rëndësishme e një gjykimi të drejtë dhe ligjet e Shqipërisë e mbrojnë këtë të drejtë. Nga ana tjetër, Gjykata shprehu se kërkuesit mund ta kishin adresuar këtë pretendim në çështjen e tyre penale, ose përmes një ankimi në Gjykatën Kushtetuese. Kërkuesit nuk kishin ndërmarrë asnjë nga këto veprime, me argumentin se se “Shqipëria nuk kishte mjete juridike efektive në dispozicion”.

Sipas Gjykatës, dyshimet e tyre për efektivitetin e mjeteve juridike vendase ishin të pambështetura në prova bindëse, prandaj ata nuk kishin motiv për t’i injoruar këto mjete. Duke qenë se kërkuesit nuk shteruan të gjitha mjetet ligjore të disponueshme në Shqipëri, kjo ankesë u refuzua nga GJEDNJ si e parakohshme.

Konkluzioni:
Gjykata vendosi unanimisht se nuk mund të pranojë ankesat e kërkuesve, pasi ata nuk kishin shteruar të gjitha mjetet e brendshme ligjore. Duke qenë se ata nuk e ndoqën çështjen me të gjitha mënyrat që ofron sistemi ligjor shqiptar, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut nuk mund ta shqyrtojë çështjen e tyre, duke e shpallur atë të papranueshme.



Skip to toolbar