Pak ditë më parë drejtuesit e Skënderbeut dhe studio ligjore zvicerane “De Pfyffer”, u paraqitën para Ghykatës së Arbitrazhit Sportiv në Lozanë të Zvicrës, ku paraqitën të gjitha argumentat kundër vendimit të UEFA-s, që e ka dënuar klibin korçar me dhjetë vite përjashtim nga kupat e europës dhe 1 milionë euro gjobë.
Vendimi përfundimtar nga CAS pritet të jepet brenda katër javësh, pasi trupa gjykuese të ketë shqyrtuar me imtësi provat e reja të paraqitura nga klubi “bardhekuq” dhe avokati mbrojtës.
Në Korçë janë me këmbë në tokë dhe nuk kanë shfaqur eufori, ndërsa drejtuesit e klubit janë treguar hermetik me informacionin për mediat.
Megjithatë, “RealStory.al” ka mësuar nga drejtues të lartë të Skënderbeut, se mungesa e komunikimit me median vjen pasi do të jetë zyra ligjore, e kontraktuar nga Skënderbeu, ajo që do të ketë një komunikim publik për këtë çështje.
Ky burim i tha “RealStory.al” se: “Avokati mbrojtës i klubit do të ketë një komunikim publik në ditët në vijim, ndërsa ne do të presim vendimin që del pas 3-4 javësh. Nuk kemi asgjë tjetër për të thënë”.
Sakaq, Skënderbeu ka bërë vetëm një reagim publik për çështjen në fjalë, duke publikuar një korenspodencë me zyrën ligjore, që konfirmonte zhvillimin e seancës dëgjimore në CAS.