Gjyqtarja dha dje dorëheqjen, shtyhet gjyqi për ish-ministrin Tahiri

AKTUALITET


Teksa ditën e sotme pritej që të mbahej seanca gjyqësore për ish-ministrin Saimir Tahiri, gjyqi është shtyrë.

Gjithçka ndryshoi duke marrë shkas nga dorëheqja dje e Daniela Shirkës, gjyqtare e çështjes Tahiri. Shirka është e treta gjyqtare qe tërhiqet nga çështja penale ndaj Tahirit dhe ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Jaeld Çelës, me argumentin se është në papajtueshmëri përderisa ka shqyrtuar një çështje të bashkëlidhur e atë të ish-ministrit.

Çështja në fjalë do të gjykohet nga gjykatës të marrë hua nga Apelet e tjera. Në vend të saj është deleguar gjyqtari Florian Kalaja, nga Apeli i Durrësit. Më herët duhet theksuar se janë larguar me dorëheqje nga kjo çështje, gjyqtarët Miliana Muça dhe Ilirjana Olldashi. Shtyrja e gjyqit u bë pasi gjyqtari Kalaja kërkoi kohë për t’u njohur me dosjen voluminoze, e cila ka 60 fashiku.

Kujtojmë se ish-ministri Tahiri u vu nën shënjestrën e organeve të drejtësisë në tetor të vitit 2017, pasi autoritetet italiane goditën një grup të strukturuar kriminal në trafikun e marijuanës, që drejtohej nga vëllezërit Habilaj –të afërm të Tahirit.

Prokuroria e akuzoi Tahirin për trafik të narkotikëve dhe kërkoi arrestimin e tij, por shumica parlamentare socialiste e bllokoi kërkesën për arrestim dhe e sulmoi hetimin e prokurorisë si të njëanshëm. Në shtator 2019, Tahiri u shpall i pafajshëm për akuzat e trafikut të narkotikëve dhe grupit të strukturuar kriminal, por u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 5 vjet burg për shpërdorim detyre, dënim i cili u konvertua me 3.4 vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Vendimi i shkallës së parë u prish nga Gjykata e Posaçme e Apelit, e cila e riktheu çështjen për rishqyrtim, pasi u konstatuan parregullsi në proces.



Skip to toolbar