Të shtunën u regjistrua një ngjarje e shëmtuar në parket. Në sfidën e kampionatit të basketbollit mes Teutës dhe Tiranës, basketbollisti bardheblu Bruno Daliu goditi arbitrin anësor të ndeshjes Jurgen Muho.
Grushtet dhe shkelmet ndaj gjyqtarit i kanë kushtuar shumë basketbollistit të Tiranës. Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Basketbollit vendosi të hënën të përjashtojë përjetësisht nga basketbolli 34-vjeçarin, Bruno Daliu.
Veç dënimit nga Komisioni i Disiplinës, basketbollisti rrezikon të dënohet edhe me burg pasi është subjekt i Kodit Penal, për ushtrimin e dhunës ndaj arbitrave. Ndërkohë, ngjarja ndodhi në periodën e fundit të ndeshjes së zhvilluar në Durrës, ku arbitri Muho akordoi një faull teknik.
Basketbollisti i Tiranës nuk ishte dakord me këtë vendim, ndërsa iu afrua gjyqtarit dhe e goditi disa herë me grushte dhe shkelma. Pas incidentit, Daliu u shoqërua në komisiariatin e Durrësit.