“Gratë janë më të zgjuara se burrat”, Trump i kthehet fushatës: Presidenti, punë e rrezikshme

BOTA


Donald Trump i kthehet fushatës elektorale pasi i mbijetoi pa asnjë lëndim atentatit të dytë.

“Të jesh president është një punë e rrezikshme. Ata mendojnë se të bësh gara me makina është e rrezikshme, apo që lufta me demat është e frikshme? Jo. Kjo puna jonë është e rrezikshme dhe duhet të qëndrojmë të sigurt”, tha Donald Trump, kandidat republikan për president.

Në një event në Miçigan, Trump tregon ngjarjen dhe vë në pah faktin se arrestimi ka ardhur falë sinjalizimit nga një grua.

“Ai po arratisej me një makinë një bllok më tutje, kur një grua, jo një burrë, por një grua e pikasi dhe e raportoi atë… gratë janë më të zgjuara se burrat, e urrej ta pranoj, por zonja e parë do të jetë shumë e lumtur tani”.

Republikani tregon dhe telefonatën që kishte zhvilluar me presidentin Joe Biden dhe rivalen e tij demokrate, Kamala Harris, pasi i akuzoi një ditë më parë se kanë nxitur atentatin kundër tij me retorikë të rrezikshme në fushatë.

“Presidenti Biden më telefonoi dje dhe patëm një bisedë shumë të mirë. E vlerësoj telefonatën dhe interesimin e tij për atë çfarë ndodhi. Ai është i përkushtuar për sigurinë time. Pak më parë, pata një telefonatë të mirë nga Kamala. E vlerësoj shumë”.

Donald Trump i shpëtoi një tjetër atentati të dielën, me autorin Ryan Routh që e kishte pritur për 12 orë I fshehur në fushën e golfit, në tentativë për ta vrarë ish presidentin amerikan. Fatmirësisht forcat e rendit dhe agjentët e shërbimit sekret ndërhynë duke arrestuar agresorin.



Skip to toolbar