“Green Pass” për të hyrë në lokale? Manastirliu: Jemi duke e vlerësuar

CORONAVIRUS


Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu sot në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave shtjelloi më shumë paralajmërimin e bërë pak ditë më parë nga Kuvendi se edhe në Shqipëri do ndiqet modeli i vendeve evropiane, ku për të hyrë në lokale apo në strukturat e shërbimit do duhet që qytetarët të tregojnë certifikatën e vaksinimit, siç njihet ndryshe “Green Pass”. Deputeti demokrat Edmond Spaho e pyeti ministren kur dhe si do të bëhet kjo?

Ne po e shohim që Europa është epiqendër e virusit dhe rritja e rasteve ka çuar edhe vende si Austria të që përfshijnë “Green Pass” në masat për reduktimin e përhapjes së COVID. Ne jemi duke e vlerësuar, është një opsion, por duhet të kemi të gjithë garancitë e zbatueshmërisë së tij, nuk ka asnjë vend që të ketë një polic për cdo qytetar për  zbatimin e masave, por këtu ka të bëjë shumë aspekti i përgjithshëm i ndërgjegjësimit për vaksinimin” tha ajo.

Por cfarë po ndodh në universitete, ku nuk po zbatohen masat për mos lejimin e studentëve që nuk janë vaksinuar? Ministrja e Shëndetësisë tha se kjo është përgjegjësi e vetë universiteteve.

Ne kemi vendosur detyrimin për vendosjen e “Green Pass” për cdo universitet. Ka pasur një rritje të mbulesës vaksinale në universitete, nuk jemi aty ku duhet. Për moshën 18-24 është 30%, nuk është aty ku duhet, por jemi duke bashkëpunuar me universitetet, pasi kërkohet një ndërgjegjësim, mbi të gjitha i vetë të rinjve, por edhe i strukturave akademike. Ne si ministri Shëndetësie kemi vendosur në universitete vaksinatorë, që ta bëjmë sa më të lehtë.

Ky proces do kërkojë edhe bashkëpunimin e vetë universiteteve. Si ministri ne nuk rekomandojmë si bëhet mësimi, ne themi cdo student që akseson universitetin duhet të paraqesë kartën, këtu është një përgjegjësi e universiteteve për të marrë masa” tha ajo.



Skip to toolbar