Duma do lista të hapura

AKTUALITET


Anëtarja e Kryesisë së PD-së, Grida Duma është shprehur pro listave të hapura të kandidatëve për deputetë, ndërsa shton se një kryetar partie nuk mundet që të zgjedhë ekipin perfekt për të fituar zgjedhjet. Duma shton se ka ardhur koha që t’i hiqet kryetarëve kjo përgjegjësi dhe t’u jepet mundësi zgjedhësve të votojnë për kandidatët e tyre të preferuar.

 “Unë mendoj që duhet të shkojmë drejt një që të gjithë kandidatët që janë me peshë për t’u zgjedhur nga qytetarët, të zgjidhen nga ata. Anëtarët e PD-së presin listat e hapura me padurim sepse e kuptojnë që është njohje kontributi në atë që është vendimmarrja e partisë”, shprehet Duma në një intervistë për A2news.

Kur u pyet nëse ka rrezik përçarjeje brenda partisë nga listat e hapura, Duma u përgjigj: “Zero rrezik. Lista e hapur ka rrezikshmëri vetëm në momentin kur nuk ka meritokraci. Lista e hapur jep kohezionin e plotë brenda grupimit politik. Ndërkohë, lista e mbyllur varet nga subjektiviteti i një ose tre individëve. Është e pamundur që një individ i vetëm të mund të zgjedhë grupimin perfekt politik duke marrë rekomandime. Ndërsa lista e hapur jep mundësi që ata që duan të kandidojnë ta kenë mendjen te njerëzit gjatë 4 ose 8 viteve opozitë. Ka ardhur momenti që kryetarët të mos e mbajnë më përgjegjësinë e përcaktimit të listës”.

Lidhur me reformën zgjedhore, ish deputetja e PD-së, thotë se ajo duhet të realizohet me garancinë e ndërkombëtarëve dhe duhet të mbështet gjërësisht nga shqiptarët.

“Reforma Zgjedhore është kapital i madh politik për opozitën, edhe më shumë për Partinë Demokratike. Reforma duhet të jetë transparente, e mirëkuptuar dhe e mbështetur nga qytetarët shqiptarë. Ndërkombëtarët duhet të jenë garantë për këtë. Vullneti politik i Ramës nuk është sepse ai thotë që nuk ka krizë. Nëse nuk ka krizë, nuk flitet për ndëshkim të krimit elektoral”, u shpreh Duma.

Përsa i përket rastit më të fundit të Agim Kajmakut, Duma thotë se Rama duhet të distancohet dhe të mos bëjë batuta në media.

“Maxhoranca nuk mund të thotë që nuk dinte gjë për rastet Kajmaku apo Babani. Kryeministri del dhe bën batuta dhe nuk distancohet. Mendoj se këtu opozita ia ka arritur qëllimit 100%. Ka hequr ministra të Brendshëm dhe ka nxjerrë nga sistemi deputetë me të kaluar kriminale”, tha Duma, e cila përsëriti kërkesën e Bashës për zgjedhje të parakohshme në Shqipëri, duke thënë se PD është gati për ndryshmin.



Skip to toolbar