Duma: Reforma zgjedhore, vetëm mes PS-PD

AKTUALITET


Ish-deputetja, Grida Duma vijon të mbrojë skenarin e protestave dhe të rrugës radikale që duhet të ndjekë opozita. Duma ka deklaruar se reforma zgjedhore duhet të realizohet jashtë parlamentit mes PD-së dhe PS-së dhe të jetë një reformë e madhe që do të çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme. Por siç thotë Duma, pas 18 tetorit kur Shqipëria pritet të marrë përgjigjen nga Këshilli i Europës në lidhje me negociatat, opozita duhet të nisë protestat dhe rrugën radikale.

“Unë personalisht mendoj dhe nuk besoj se e ndaj vetëm unë këtë mendim, është se protestat dhe rruga radikale duhet të nisë pa asnjë dyshim. Pasi këtë reformë zgjedhore ne e kemi konturuar dhe e kemi bërë kredibël dhe nëse nuk ka rrugë tjetër dhe nuk ka mirëkuptim për një ndryshim të madh për Shqipëri do të shkojmë në radikalitet. Edhe pak ditë na ndajnë nga 18 tetori dhe fill pas kësaj protestat dhe radikalizmi do të jetë rruga tjetër. Zgjedhjet do t’i fitojmë me shqiptarët duke vazhduar rrugën radikale”, është shprehur Duma.

Në një kohë kur i gjithë faktori ndërkombëtar ka vënë si një ndër kushtet kryesore reformën zgjedhore, por duke thënë se kjo reformë duhet të jetë gjithëpërfshirëse, ish deputetja e PD-së thotë se reforma zgjedhore do të bëhet jashtë parlamentit mes PD dhe PS. Pra Duma e kufizon pjesëmarrjen e forcave të tjera të opozitës në këtë reformë dhe duke e nxjerrë atë jashtë institucioneve.

“Reforma zgjedhore do të jetë debati i kredibilitetit publik dhe i forcës së madhe të PD. Në ndryshim  nga kushdo unë nuk e shoh përveç PD. Reforma sot ka kaluar në ekstraparlamentare. Duket qartë që do të bëhet PS-PD dhe padiskutim me opozitën reale. Nuk është me çështje numrash apo kartonash. Është çështje përmbajtësore. Bëhet fjalë për një reformë që duhet hartuar nga PD. Kemi një platformë bashkë me aleatët. Pritshmëria e ndërkombëtareve për reformën është tek opozita. Mos hapja e negociatave për herë të 5 tregon se ndërkombëtaret nuk besojnë më tek Rama dhe tek reformat e tij. Vëmendja është tek opozita. Kjo reformë do të jetë ekstra parlamentare dhe kërkohet një diskurs i madh mes PD, opozitës dhe ndërkombëtarëve dhe kredibilitetit që do të fitojë ajo tek shqiptarët e cila nis me një gur sigurie që është ndëshkueshmëria. Dhe këtu ne e shohim rolin e SHBA determinant për ndëshkimin e krimeve elektorale. Të gjitha këto janë rrugëtim drejt zgjedhjeve të parakohshme”, është shprehur Duma në Ora news.

Por i gjithë propozimi i saj nuk dihet sa do të gjejë mbeshtetje tek ndërkombëtarët. E para ndërkombëtarët e kanë shprehur qartë dhe prerë se janë kundër protestave dhe sjelljes së dhunshme dhe radikale të opozitës. Dhe e dyta ndërkombëtarët kërkojnë një opozitë që funksionon brenda institucioneve dhe jo jashtë saj. Por Duma propozon që reforma zgjedhore të dalë jashtë institucioneve dhe për më tepër të përjashtojë opozitën e re të Rudina Hajdarit në Kuvend, e cila jo vetëm që ka kartonët për ta votuar, por ka dhe atë që PD kërkon me ngulm, mbështetjen e SHBA dhe ndërkombëtarëve./realstory.al  



Skip to toolbar