Disa deputetë janë përleshur fizikisht në parlamentin e Serbisë, kur dy prej tyre hynë në sallën e seancës plenare duke mbajtur pankarta në duar mbi të cilat shkruhej: “Milo, hajdut, nuk t’i japim gjërat e shenjta” dhe “Serbi, pse po hesht?”.
Deputetët që vinin me pankarta janë nga partia opozitare “Dveri”, Boshko Obradoviç dhe Ivan Kostiç, të cilët reaguan për faktin se Serbia nuk është përgjigjur ende ndaj miratimit të një ligji për komunitetet fetare në Malin e Zi, i cili ka ngritur shqetësime se ky dokument mund t’i heqë Kishës Ortodokse Serbe të drejtën mbi pronësinë në pronat që administron.
Deputetët e parlamentit serb kërkuan një seancë të jashtëzakonshme për situatën në Mal të Zi. Më pas pati një konfrontim fizik me deputetët e shumicës në pushtet.
Obradoviç u ndal para kryesuesit të seancës dhe pyeti deputetët “nëse ata mbështesin rrëmbimin e kishave dhe manastireve serbe dhe arrestimin e deputetëve në Mal të Zi”.
Pastaj atij iu afrua kreu i grupit parlamentar të Partisë Progresive Serbe në pushtet, Aleksandar Martinoviç, dhe deputetë tjerë të shumicës parlamentare, duke u shkaktuar më pas edhe përleshja fizike. Kryetarja e Kuvendit, Maja Gojkoviç, u kërkoi deputetëve të qëndrojnë në vendet e tyre dhe të mos përgjigjen ndaj asaj që ajo e quajti provokim nga ana e Boshko Obradoviç.
Ndërsa Kisha Ortodokse Serbe dhe patriarku Irinej, kanë apeluar të ndalohet, siç kanë thënë “dhuna dhe terrori ndaj kishës”, duke shtuar se një nga krerët e kishës është rrahur nga policia. Pas dhunës në Kuvend, lëvizja “Dveri” ka vazhduar me protesta tek ambasada e Malit të Zi.