Pronarët e guroreve janë konfrontuar mesditën e kësaj të hëne me policinë, pasi këta të fundit nuk i kanë lejuar që të nisin nga puna për nxjerrjen e gurit dekorativ.
Mësohet se uniformat blu kanë bllokuar kamionët e kompanive në aksin Novaj-Tomorr, çka solli përplasje verbale mes tyre dhe pronarëve. Këta të fundit kanë kërkuar që të nisin punën, ndërsa mbajnë në duar vendimin e Gjykatës së Apelit Administrativ, e cila hodhi poshtë VKM-në për të zgjeruar zonën e mbrojtur në malin e Tomorrit.
Vendimi i Gjykatës së Apelit Administrativ është botuar javën e shkuar në fletoren zyrtare. Gjykata e Apelit Administrativ vendosi më 17 korrik që të shfuqizojë vendimin e qeverisë për ndalimin e shkatërrimit të Malit të Tomorrit nga kompanitë që nxjerrin pllaka guri. Gjykata e Apelit Administrativ e përbërë nga gjykatësja kryesuese Alkelina Gazidede dhe me anëtarë Bari Shytin, Fjoralba Priftin dhe Amarildo Lacin vendosi të rrëzojë vendimin e qeverisë, ndërsa gjyqtarja Blerona Hasa ne minorancë votoi që Mali i Tomorrit të mos shkatërrohej nga guroret.
Gjykata e quan të paligjshëm vendimin e qeverisë dhe kërkon që kompanitë që shkatërruan malin e Tomorrit të rikthehen në punë. Pak kohë më parë ndalimi i punës në Malin e Tomorrit u shoqërua me shumë debate dhe duket se lobimet arritën te rrëzojnë një vendim qeverie. Mali i Tomorrit ishte shpallur i gjithi park i mbrojtur kombëtar, por Gjykata në një nga arsyetimit e saj në vendim shprehet se për këtë vendim nuk është pyetur komuniteti, dhe që në Malin e Tomorrit janë pronarët e gurorëve që e shkatërruan atë mal.
Javën e shkuar, në Berat u organizua një protestë kundër vendimit të Gjykatës. Të rinj dhe banorë të zonës me pankarta në duar kërkojnë anulimin e vendimit të Gjykatës ndërsa është lajmëruar edhe përgatitja e një peticioni kundër këtij vendimi.
Qeveria kishte vendosur më herët që të kthente në park kombëtar të gjithë Malin e Tomorrit, i cili prej disa dekadash po gërmohej nga gurorë të shumta për të nxjerrë pllaka guri. Dëmet në mal janë të konsiderueshme dhe pothuajse të pakthyeshme. Mjaftuan disa muaj ndalim që në mal të riktheheshin kafshët e egra.