Hajdari: Kush e ka fajin që një prokuror qëllohet në mes të rrugës?

AKTUALITET


Kryetarja e opozitës në parlament, Rudina Hajdari komentoi atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja disa ditë më herët në mbikalimin e Shkozetit, ndërsa ngriti si shqetësim se askush në këtë vend nuk mban përgjegjësi për ngjarjet kriminale që ndodhin. Hajdari hodhi akuza ndaj kryeministrit Rama, duke thënë se ai e heq përgjegjësinë nga vetja nuk kontrollon dot situatën me krimin në vend.

“Kush e ka fajin sot që një prokuror qëllohet me kallashnikov në mes të rrugës, që një grua gjyqtare u vra në rrugë edhe kur kërkoi të mbrohej nga ligji. Kush e ka fajin që janë hequr më shumë se gjysma nga sistemi. Kush e ka fajin që askush nuk ka besim tek sistemi i drejtësisë dhe se persona të lidhur me botën e krimit kanë mbështetjen për t’u futur në dyert e bashkive. Kush e ka fajin që këto rrjete kriminale nuk janë në gjendje të kontrollohen dhe sot nuk e lënë vendin  të përparojë. Kush e ka fajin që akoma një ligj zgjedhor që garanton vetëm votën e listës. Sot ke shtresën më punëtore dhe më të vyer që po largohet nga Shqipëria. Unë e di që ka vetëm një zgjidhje. Sot shqiptarët dhe të rinjtë dhe studentët duhet të luftojnë për ndryshimin e sistemit që vota e tyre të mos shkojë në dëm të vendit”, u shpreh Hajdari.

Ajo gjithashtu u shpreh kundër krijimit të parlamentit rinor dhe propozimit të sjellë në Kuvend nga Ministrja e Arsimit duke thënë se me këtë projektligj qeveria po e trajton rininë si shtresë të margjinalizuar.

“Kabineti qeveritar ka propozuar një projektligj për të rinjtë që ju nuk e keni idenë. Ministria përkatëse është munduar ta përdorë si një propagandë të radhës për t’iu joshur me një gjë boshe. E para ky projektligj ka dy vjet që sorollatet në korridoret e komisioneve sepse ka patur një luftë. Ministria nuk ka marrë asnjë lloj mendimi nga shoqëritë civile që merren me këtë punë. Ajo thotë se do përkujdeset për rininë dhe për rininë që jeton në diasporë. Por në të nuk ka asnjë rresht për të rinjtë që jetojnë në diasporë. Ky projektligj nuk është i bazuar në asnjë platformë ndërkombëtare. Edhe në vendet ku është aplikuar ka rezultuar i pasuksesshëm. Ky është një dështimi i radhës i qeverisë. Të dashur studentë më thoni çfarë prisni nga një kryeministër që iu keqtrajton që sillet në mënyrë vulgare me ju. Kush e ka fajin që ju nuk jeni më në prioritetin e tyre. Ju jeni 30% e kësaj shoqërie dhe nuk jeni një shtresë e margjinalizuar”, tha Hajdari.



Skip to toolbar