Rudina Hajdari u shpall ditën e djeshme në seancën plenare si kryetare e “Grupit Parlamentar Demokrat”, që përbëhet nga ato deputetë që kanë pranuar mandatet nga lista e PD-së dhe ndodhen aktualisht në parlament. Hajdari tha se ky grupim parlamentar është krijuar në përputhje të plotë me ligjet dhe rregulloren e Kuvendit.
“Grupi Parlamentar Demokrat” është krijuar në përputhje të plotë me Rregulloren e Kuvendit, ligjet në fuqi dhe Kushtetutën e Shqipërisë.
Sikurse unë ashtu edhe deputeti Myslim Murrizi nuk jemi larguar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike. Partia Demokratike me vendimin për “dorëzimin në bllok të mandateve” vendosi njëkohësisht të ndërpresë përfaqësimin në Kuvend dhe të shkrijë Grupin Parlamentar të PD.
Neni 15, pika e Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë përcakton se:
“2. Për krijimin e një grupi parlamentar kërkohet një minimum prej 7 deputetësh.
Çdo deputet mund të jetë anëtar vetëm i një grupi parlamentar. Një deputet që
largohet nga grupi parlamentar, mund t’i bashkohet një grupi tjetër parlamentar
vetëm pas gjashtë muajve nga data e largimit”.
Ndaj nuk jemi në kushtet e largimit nga Grupi Parlamentar i PD (dhe nuk është i vlefshëm kushti i afatit 6 mujor) por në rrethanat e gjendjes së faktit ku deputetët e Kuvendit në bazë përkatësisë partiake apo të orientimit politik në përputhje me Rregulloren vendosin për krijimin e Grupit Parlamentar.
Grupi Parlamentar Demokrat është krijuar mbi bazën e orientimit politik të djathtë me qëllim:
- Zgjidhjen e krizës politike përmes Reformimit të sistemit zgjedhor (politik).
- Përfaqësimin e vërtetë dhe me integritet të Demokratëve dhe oponencës qytetare në Kuvend.
- Misionin për Integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.” – shkruan Hajdari në Facebook.