Hajdari nuk tërhiqet: Për “Zgjedhoren” do ketë ndryshime në Kushtetutë

AKTUALITET


Bashkëkryetarja e Komisionit të Posaçëm për reformën Zgjedhore, Rudina Hajdari vazhdon t’i qëndrojë fort kërkesës për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe thotë se ky propozim nuk është përjashtuar nga tryeza e përbashkët e partive dhe as mundësia për ndryshimin e Kushtetutës. Hajdari ka kërkuar në Kuvend që sistemi zgjedhor të ndryshojë në proporcional kombëtar me lista të hapura nga proporcional rajonal me lista të mbyllura që është aktualisht dhe ka firmosur në kuvend një draft të propozuar nga nisma Thurje. Në përfundim të tryezës së të hënës me të gjithë përfaqësuesit politikë, përfshirë edhe opozitën jashtëparlamentare, Hajdari vlerësoi faktin se kjo reformë po asistohet nga përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe falë tyre po punohet me shpejtësi në mënyrë që të përmbyllet brenda afatit që është vendosur dhe që është data 15 mars.

“Ramë dakord për kalendarin, çështjet që do shtrojmë. Asgjë nuk është kufizuar në trajtim. Do trajtohet sistemi zgjedhor, çështja e votës së diasporës. Të gjitha këto duan kohë dhe seriozitetin e duhur që ne të kemi dakordësi. Duhet të arrijmë një produkt final, më të përshtatshmin për shqiptarët për t’i garantuar atyre të drejtën e të zgjedhurit. Ju garantoj që në vijim e sipër e rëndësishme mbetet transparenca e kësaj tryeze dhe mbikëqyrja e kësaj tryeze nga ndërkombëtarët. E shikoj 15 marsin si një datë ambicioze. Ekspertët do ulen dhe 15 marsi do jetë afati i fundit kur ne do biem dakord. Do ketë nëse do jetë e nevojshme edhe ndërhyrje në kushtetutë. Nuk do të ketë thjesht një ndryshim për makiazh. Kjo reformë zgjedhore duhet të merret seriozisht dhe të çohet deri në fund”, tha Hajdari.

Në tryezën e dytë të partive politike për reformën zgjedhore, palët kanë miratuar kalendarin e punës dhe metodologjinë e realizimit të reformës zgjedhore.



Skip to toolbar