Haradinaj shkarkon Maxhunin: Vuri këmbët mbi kroskotin e makinës

KOSOVA


Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është duke marrë pjesë në Samitin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Poloni. Nga atje, kryeministri Haradinaj ka liruar nga detyra zëvendësministrin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Shukri Maxhuni. Këtë ai e ka bërë të ditur nëpërmjet një shkrimi në rrjetet sociale. “Sot kam liruar nga detyra zëvendësministrin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Shukri Maxhuni”, ka shkruar Haradinaj.

Lirimin nga detyra të Maxhunit e ka kërkuar zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli. Pacolli ka reaguar ndaj veprimit të Maxhuni, i cili ditë më parë është fotografuar në veturën zyrtare, deri sa i mbante këmbët pranë xhamit të përparmë. “I pahijshëm akti i Zëvendës Ministrit të Bujqësisë zotni Maxhunit me sjelljen e tij në një veturë zyrtare. Kjo nuk është mënyra se si një zyrtar qeveritar sillet me pronën që është blerë nga taksat e qytetarëve tanë. Pavarësisht kush është , është një akt i papranueshëm që nuk pasqyron vizionin tonë për zhvillim dhe shërbime më të mira për qytetarët tanë. Kjo nuk është mënyra se si duhet të trajtohet prona publike dhe ne e dënojmë aktin dhe të parandalojmë rastet e tilla. Unë kam kërkuar nga Kryeministri të shkarkojë Zëvendësministrin Maxhuni nga detyra e tij. AKR dhe unë nuk do të tolerojmë dhe nuk pranojmë akte të tilla nga zyrtaret tanë. Zyrtarët publik duhet t’u shërbejnë qytetareve tanë dhe të mos abuzojnë me pozitat e tyre në një mënyrë të tillë”, ka shkruar Pacolli në rrjetet sociale.

Ndërsa vetë zëvendësministri kishte reaguar më herët, duke deklaruar se nuk e kishte kryer këtë veprim për të përdhosur makinat shtetërore, por për shkak të një problemi shëndetësor pas një dite të lodhshme pune.



Skip to toolbar