Hetimet për shqiptarin e murosur, u vra me fije najloni

AKTUALITET


Hetimet për të dyshuarit e vrasjes së shqiptarit të murosur rreth 6 vjet më parë në një vendbanim në Senago kanë mbetur në udhëkryq, pasi të arretuarit vënë në dyshim fjalët e njërit prej të penduarve. Ata mohojnë që të jenë përfshirë në krim dhe hetuesit duhet të gjejnë prova të reja, për t’i vënë përpara drejtësisë.

Astrit Lamaj vdiq në moshën 42 vjeç në janar të 2013-s dhe trupi i tij u gjet në janar të 2019-s, brenda një muri në një rezidencë që po i nënshtrohej rinovimit në Senago.


Mbi vrasjen brutale,  hetimi i policisë, i koordinuar nga prokurori Rosario Ferracane, është ende i hapur, i cili çoi në arrestimin e 8 të dyshuarve, për akuza të ndryshme, si vrasje me paramendim dhe fshehje kufome. Nga këta 4 persona rezultojnë të arrestuar.

Gjykata ka kërkuar rishikim të provave sepse asnjë prej dëshmive të dhëna nga penduari Carmelo Arlotta nuk korrespondojnë për të fajësuar  Giuseppe Cammaratan dhe dy të tjerëve, tashmë i ndodhur në paraburgim. Avokati i të arrestuarit Francesco Serio, thotë se i penduari nuk tregon të vërtetën.

Carmelo Arlotta, ka thënë përpara hetuesve se shqiptarin e tërhoqën drejt skenës së krimit, me justifikimin për t’iu blerë drogë. Kur Lamaj ka mbërritur në vendngjarje, është goditur dhe më pas mbytur me fije najloni. Trupi i tij u fsheh në banesën që përdorej nga Francesco Serio për një kohë dhe më pas u transportua në rezidencën shekullore në Senago.

Sipas të penduarit Carmelo Arlotta, ishte Carmela Sciacchitano, 63 vjeçe, banuese në Xhenova, nxitësja e vrasjes së Astrit Lamaj. Shqiptarin e akuzonin se ndërpreu marrëdhënien romantike që zgjati një vit me gruan dhe e kishte lënë, duke tërhequr nga shtëpia e saj, bizhuteri prej 100 mijë eurosh. Motivi për vrasjen ishte hakmarrja, kapja dhe ekzekutimi sipas kodeve të njohura kriminale të Jugut.

Carmelina, siç e thërrisnin miqtë e saj, më parë kishte kërkuar autorizimin e mafiozëve të Riesit, vendit të origjinës së saj në provincën e Caltanissettas, për të rekrutuar atentatorë sicilianë për ekzekutim.

Fillimisht gruaja i kërkoi të penduarit që të kryente vrasjen, por Arlotta e refuzoi. Më pas ajo kontaktoi me Giuseppe Cammaratan, i cili  thirri për të bashkëpunuar të njëjtën Arlotta, vëllain e të penduarit, Angelo Arlotta dhe kushëririn Francesco Serio. Megjithëse i penduari është përpjekur në çdo mënyrë t’i largojë të afërmit nga kjo histori e keqe, provat janë kundër tyre.




Skip to toolbar