Një ditë pasi mori zyrtarisht detyrën e tij si kryeprokuror, Olsian Çela ka vajtur në Prokurorinë e Durrësit për të parë nga afër hetimet që po kryhen në lidhje me ndërtesat e shembura nga tërmeti. Pas takimit që mbajti me prokurorët, Çela ka folur jashtë ambienteve të Prokurorisë së Durrësit ku dha një mesazh të fortë për të gjithë se çdokush do mbajë përgjegjësinë e tij në lidhje me ngjarjen, qofshin zyrtarë apo ndërtues. Çela tha se nga hetimet po dalin edhe probleme me legjislacionin, gjë që do të shërbejë për të bërë edhe propozimet e nevojshme për ndryshimin e ligjit.
“Qëllimi i vizitës lidhet me situatën e krijuar pas tërmeteve. Është krijuar një grup hetimor për çështjen në fjalë. Vizita ishte me qëllim rritjen e koordinimit për të siguruar një hetim të shpejt dhe efiçent. Prokurorët janë të motivuar dhe mendoj se shumë shpejt rezultatet do të jenë të prekshme. Individë të papërgjegjshme kanë shkelur ligjin me koshiencë të plotë duke sjellë vdekjen e disa personave. Hetimi është përqendruar në objektin e hetimit. Duhet të jemi të qetë dhe të besojmë të heqim dorë nga lajmet e pavërteta. Nga hetimi po dalin probleme edhe me legjislacionin në fuqi. Ai do shpërbeje edhe për të propozuar ndryshime të rëndësishme në ligj. Ka njerëz të cilët kanë shkelur ligjin dhe përgjegjësia që do mbahet maksimale. Përgjegjësia do shkoje atje ku është qoftë tek zyrtarët qoftë tek drejtuesit. I është garantuar prokurorëve siguri i plotë”, tha Çela.