Humbën vajzën nga tërmeti, Rama dhe Veliaj: Do keni kujdes të veçantë

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama së bashku me kryebashkiakun Erion Veliaj kanë vizituar familjen Biqiku, e cila banonte në Kombinat, ndërsa në tërmetin e nëntorit ajo humbi vajzën e saj të madhe, Xhesikën. Bashkë me 20-vjeçaren e cila sapo kishte nisur ëndrrën e saj për t’u bërë arkitekte, do të mbeteshin të lënduara edhe nëna dhe motra e saj, por që mundën të shpëtojnë. Kryeministri Rama dhe Kryetari i Bashkisë Veliaj siguruan pjesëtarët e familjes Biqiku se për çdo nevojë institucionet janë të gatshme që të ndihmojnë.

Ndërsa shprehën ngushëllimet për ndarjen nga jeta të vajzës Xhesika Biqiku, Veliaj dhe Rama theksuan se do të bëhet gjithçka që pjesëtarët e familjes së saj të vijojnë jetën në mënyrë që t’ju lehtësohet sa të jetë e mundur edhe dhimbja e madhe.

Familjarët falënderuan kreun e qeverisë, si dhe kryebashkiakun Veliaj për gjithë angazhimin që nga momentet e para për të shpëtuar jetën e vajzës dhe për përkujdesjen në vijim. Kryeministri Rama i dorëzoi vajzës së vogël Sabinës edhe tre libra, një nga pasionet e saj më të mëdha në jetë.

Bashkë me qeverinë, në kryeqytet janë strehuar nga Bashkia e Tiranës edhe shumë prej familjeve të cilat humbën pjesëtarë në Thumanë duke nisur një jetë të re. Bashkia është përkujdesur që krahas ofrimit të një banese me kushte komode, të ofrojë edhe mbështetje të vazhdueshme me shërbim social dhe shëndetësor.

Gjithsesi, familja po e përjeton shumë rëndë humbjen e vajzës së tyre. Të veshur me të zeza dhe me sytë me lot nëna dhe e motra treguan boshllëkun që la pas Xhesika.

Ajo për fat të keq ndërroi jetë në Spitalin e Traumës, ndërsa gjendja e saj e rënduar nuk i plotësonte kushtet për ta transportuar për kurim të specializuar jashtë vendit. Shefi i qeverisë i premtoi familjes së do të këtë kujdes të veçantë dhe nuk do të ndihet vetëm pas kësaj ngjarje tragjike, e cila tronditi çdo zemër shqiptari.



Skip to toolbar