Kryeprokurori Çela, mesazh politikës për sulmin ndaj prokurorit

AKTUALITET


Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela ka marrë në mbrojtje prokurorin e Vlorës për sulmin me tritol ndaj makinës së tij, duke e cilësuar këtë atentat për shkak të detyrës, ndërkohë që i ka çuar një mesazh edhe forcave politike, duke kërkuar prej tyre të kontribuojnë për një klimë normaliteti dhe mbështetje ndaj institucioneve të drejtësisë.

“Aktet e dhunës ndaj magjistratëve, qartësisht synojnë pengimin e funksionimit normal të sistemit të drejtësisë dhe cenojnë rëndë rendin dhe sigurinë publike. Për këto arsye, është i nevojshëm angazhimi maksimal i të gjithë organeve ligjzbatuese për vënien para përgjegjësisë të autorëve. Prokurori i Përgjithshëm inkurajon të gjithë magjistratët të vazhdojnë të kryejnë me përgjegjësi dhe përkushtim detyrat e tyre kushtetuese dhe i siguron ata se do të kenë mbështetjen e tij maksimale”, deklaroi Çela, duke mbështetur punën e prokurorisë.


Por ai ka dërguar edhe një mesazh gjithëpërfshirës, ndoshta duke marrë shkas nga ditët e fundit, ku politika ka ndërmarrë sulme ndaj drejtësisë. Konkretisht opozita ka sulmuar hapur jo vetëm prokurorinë, por edhe gjykatën sa i përket çështjes Babale, për të cilën u vendos dënimi me një vit burg për ish-deputetin e PD, Ervin Salianji. “Është gjithashtu mjaft e rëndësishme që të gjithë të kontribuojnë në krijimin e një klime normaliteti dhe mbështetjeje ndaj institucioneve të drejtësisë, pasi kjo do të ndihmonte në mirëfunksionimin e shtetit të së drejtës në Republikën e Shqipërisë”, u shpreh kryeprokurori Çela.

Në orët e para të mëngjesit të datës 21.12.2019, në qytetin e Vlorës një sasi eksplozivi është hedhur dhe ka shpërthyer në automjetin e prokurorit Albert Kuliçi, i cili e ushtron këtë detyrë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë. Në lidhje me ngjarjen e mësipërme janë duke u kryer hetime nga kjo prokurori dhe Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë.




Skip to toolbar