Humbja në derbi i kushtoi rëndë trajneri të Partizanit Franko Lerda. Klubi i ‘kuq’ njoftoi mbrëmjen e të shtunës se tekniku italian mbylli bashkëpunimin me skuadrën e Partizanit. “Klubi i Futbollit Partizani njofton se Presidenti Gazment Demi ka mbyllur ditën e sotme bashkëpunimin me trajnerin Franko Lerda. Presidenti Demi i uron trajnerit Lerda suksese të mëtejshme në karrierën e tij sportive”, thuhet në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të Partizanit.
Franko Lerda u emërua trajner në verën e këtij viti, pasi nga Partizani u largua trajneri Skënder Gega. Tekniku italian drejtoi klubin në kupat e europës, por nuk pati sukses. Ndërkohë, në ndeshjet e kampionatit, Lerda arriti të mbante Partizanin në vendet e kreut, ku herë pas here edhe kryesoi renditjen.
Megjithatë, ndryshe nga sa pritej, skuadra e “Demave” pati oshilacione me rezultatet. Por, pavarësisht këtyre, duket se situata u komplikua më shumë nga atmosfera në ekip. Gjatë drejtimit të Partizanit, Franko Lerda do të mbahet mend për tensionet e krijuara me stafin e tij. Ai pati disa herë “sherre” me ndihmësit e tij, ndërkohë që nuk munguan as përplasjet me lojtarët.
Jasir Asani është një nga futbollistët që duket se krijoi më shumë përplasje me trajnerin, tashmë të largua nga partizani. Futbollisti nga Maqedonia e Veriut u la shpesh në stol, madje edhe në ndeshjen e fundit derbi. Ndërkohë, një vit më parë, sulmuesi ishte një nga pikat kyçe te Partizani. Tani pritet me interes të mësohet se kush do të drejtojë skuadrën e Partizanit.