I akuzuar për “shpërdorim detyre”/ Dako kërkon gjykim të shkurtuar, ja kur vendos GJKKO

AKTUALITET


Gjykata e Posaçme do të shprehet në seancën e 8 korrikut, nëse do pranojë apo jo kërkesat për gjykim të shkurtuar të bëra nga ish-kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, Fiqiri Farruku dhe Adrian Bulku.

Nga ana tjetër, gjyqtarja Elsa Ulliri rrëzoi kërkesën e disa prej të akuzuarve të tjerë për shpalljen e moskompetencës lëndore dhe për dërgimin e çështjes për gjykim në Gjykatën  e Durrësit. Ndërkohë, prokurori Sotir Kllapi kërkoi rrëzimi e kërkesës pasi veprimet e tyre janë të lidhura.


Në këto kushte, gjyqtarja Ulliri u tërhoq për t’u shprehur në seancën e radhës, në lidhje me kërkesat për gjykim të shkurtuar dhe për ndarjen e çështjes. Pas përfundimit të seancës, Vangjush Dako u shpreh se ka kërkuar gjykim të shkurtuar pasi nuk ka prova të reja dhe mund të zgjidhet çështja në këtë fazë.

Ish-kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako akuzohet se ka kryer veprën penale “shpërdorim detyre”, në dy raste. Njëri rast, ka të bëjë me ndërtimin e një pallati në Durrës 11 vite më parë, i cili u shemb nga tërmeti në nëntor të vitit 2019 dhe rasti tjetër ka të bëjë me një tender për ndërtimin e një shëtitoreje në vitet 2014-2015, që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 18 milionë lekë.




Skip to toolbar