Nxehet nga divorci, fsheh fëmijën. I riu tani në burg

AKTUALITET


Gjyshja dhe babai i një fëmije të mitur kanë përfunduar në qeli, pasi ata nuk i jepnin fëmijën nënës, pas divorcit me të shoqin. Sjellja e çuditshme e dy të arrestuarve, në fakt nuk është rasti i vetëm në Shqipëri, pasi shpesh herë divorcet kanë sjellë probleme të tilla, ku njëri prind i ka mohuar tjetrit takimet me fëmijët.

Kështu ka ndodhur edhe këtë herë, ku protagonistë janë nënë e bir nga Vlora. Sipas të dhënave, J. N. 39 vjeç ishte divorcuar me të shoqen E. N. 37 vjeçe. Në procesin e divorcit gjykata kishte vendosur që kujdestarinë e fëmijës ta mbajë e ëma 37-vjeçare, edhe për faktin se fëmija ishte i mitur. Por, babai mësohet nuk ka pranuar vendimin e gjykatës dhe me vetëgjyqësi ka mbajtur fëmijën e mitur, duke mos e lejuar të ëmën që të kujdeset për të. Në këto kushte, nëna 37-vjeçare i është drejtuar gjykatës dhe ka nxjerrë një urdhër ekzekutimi për marrjen e fëmijës sipas vendimit të dhënë gjatë procesit të divorcit. Pas nxjerrjes së urdhrit, ajo ka kërkuar që të marrë fëmijën, por ish-bashkëshorti dhe nëna e tij e kanë fshehur.


Policia i ka ardhur në ndihmë nënës së fëmijës, duke arrestuar dy personat që kundërshtonin urdhrit e gjykatës. Policia tha se të arrestuarit janë A. N. 66 vjeçe (gjyshja) dhe J. N. 39 vjeç (babai) të dy banues në Vlorë. “Ata, në banesën e tyre në lagjen ‘Kushtrimi’ në Vlorë kanë fshehur fëmijën e mitur edhe pse punonjësit e Përmbarimit në Vlorë i kanë dhënë kujdestarinë nënës E.N 37-vjeçe”, deklaroi policia.  Dy të arrestuarit do të përballen me akuzën për veprën penale të ‘Marrjes së padrejtë të fëmijës e kryer në bashkëpunim’.




Skip to toolbar