Agjencia Shtetrore e Kadastrës njoftoi të premten se brenda dy viteve në vendin tonë janë legalizuar 296 pallate të ndërtuara pa leje gjatë 30 viteve të fundit. “Nga viti 2017, kur ky proces ju besua Kadastrës Shqiptare, janë legalizuar 296 pallate me lartësi 5 deri 12 kate dhe me 1.320.000 m2 ndërtim. Nga ky proces kanë përfituar rreth 2500 familje apartamente, dyqane, njësi shërbimi, garazhe, etj. Qyteti me më shumë objekte të legalizuara është Tirana me 124 pallate, e ndjekur nga Saranda me 63 dhe Vlora me 29 të tilla”, thuhet në njoftimin e ASHK.
Kjo deklartë vjen pasi të premten drejtori i ASHK, Artan Lame dha lejet e legalizimit për banorët e disa apartamente në pallate të ndërtuara gjatë demokracisë, por të braktisura nga ndërtuesit. Lejet e legalizimit u dhanë për apartamentet e katër kullave të ndërtuara nga një shoqëri private 20 vite më parë në Njësinë Administrative nr.7. Këto pallate ishin ndërtuar dhe më pas ishin braktisur nga ndërtuesi i tyre. Lame u bëri thirrje pronarëve të pallateve që kanë ndërtuar pa leje të paraqiten pranë zyrave të Kadastrës për të bërë legalizimin e objekteve.
“Nëse ka të tjerë të këtij lloj, të paraqiten pranë zyrave të Kadastrës për të vijuar procesin e legalizimeve. Në rastin konkret e kemi ndjekur ne. Fillimisht u munduam ta ndjekim ne vetë me subjektin. Pastaj u interesua dhe deputetja e zonës Etilda, duke na thënë se aty subjekti nuk është, dhe a mund të vijojmë vetë me qytetarët meqenëse ata nuk kanë kujt t’i drejtohen dhe e mori të gjithë procesin përsipër institucioni. Nëse u bë, u bë vetëm, sepse ju bashkëpunut me institucionin për të plotësuar dkumentacionin”, u shpreh Lame.